Komisioni i Ligjeve miratoi një projektligj dhe zhvilloi seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë lidhur me monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt organit të Prokurorisë për vitin 2021 në luftën kundër kriminalitetit

  • Postuar më, 13/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e radhës shqyrtuan një projektligj dhe zhvilluan një seancë dëgjimore me ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja, si përfaqësues i Këshillit të Ministrave lidhur me monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt organit të Prokurorisë për vitin 2021 në luftën kundër kriminalitetit.

Ministri i Drejtësisë parashtroi përpara deputetëve raportin duke u ndalur në mënyrë në veçantë në zbatimin e rekomandimeve të fokusuara në 5 drejtime kryesore: garantimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit; lufta ndaj korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; të drejtat e njeriu në procesin penal dhe bashkëpunimi ndër-institucional.

Lidhur me rekomandimin e parë për garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit, krijimi i një organi të pavarur dhe të paanshëm, ministri Manja u shpreh se Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë dy udhëzime me karakter të përgjithshëm, tre urdhra dhe tre marrëveshje bashkëpunimi. Për sa i përket rekomandimit për forcimin e luftës kundër korrupsionit, z. Manja theksoi se lufta ndaj këtij fenomeni është një nga sfidat kryesore për garantimin e pavarësisë së institucioneve dhe organeve publike në zhvillimin ekonomik dhe shoqërorë të Shqipëri. “Në vlerësim të Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dhëna për vitin 2021 në këtë drejtim rezulton se: Prokuroria e Përgjithshme ka trajtuar 1792 çështje penale për veprat penale në fushën e korrupsioni me një numër total prej 321 personash nën hetim dhe janë marrë të pandehur 169 persona. Rastet që dërgohen për gjykim mbeten të ulëta krahasuar me numrin total prej 556 çështjesh të regjistruara”, u shpreh z.Manja. Lidhur me rekomandimin e tretë, duke iu referuar hetimeve proaktive apo filluara kryesisht në fushën e korrupsionit, z.Manja vlerësoi se mbetet i ulët roli proaktiv i prokurorit në lidhje me veprat penale kundër korrupsioni pasi vetëm 0.3 % e veprave penale të referuara kanë nisur kryesisht nga prokurorët, nga 41541 që është numri total i tyre. “Rezulton një rritje e numrit të çështjeve penale në fushën e pastrimit të parave të regjistruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, 5.2% më tepër, krahasuar me vitin 2020”, u shpreh z.Manja.  Lidhur me SPAK, ministri Manja u shpreh se ka regjistruar 339 procedime penale në fushën e korrupsioni ose 50.2% e veprave penale të regjistruara flasin për grupin e veprave penale në fushën e korrupsionit, shifër që shënon rritje me vitin e kaluar me 101 procedime më tepër. Procedimet penale kanë pasur për objekt: shkeljen e barazisë në tendera dhe funksioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Lidhur me prioritetin për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në procesin penal, z.Manja u shpreh se për vitin 2021 numri i çështjeve të përfunduara është 1071 çështje, gjykimi i drejtpërdrejtë ka pësuar rritje të lehtë krahasuar me 2020, ndërsa marrëveshja për pranimin e fajësisë ka pësuar ulje. Gjatë raportimit, ministri Manja parashtroi dhe rekomandimet e lëna për Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK për vitin 2022.  Deputeti Xhemal Qefalia në cilësinë e relatorit vlerësoi raportin dhe theksoi se rekomandimet kanë pasur në fokus përmirësimin e efektivitetit të masave që duhet të ndërmerren nga organi i prokurorisë për parandalimin dhe luftën kundër kriminalitetit. Më pas ministri Manja iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me masat e marra në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, efektivitetit të drejtorisë anti-korrupsion të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, etj.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Në mbledhjen e komisionit mori pjesë edhe deputetja e grupit parlamentar demokrat znj.Ina Zhupa. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, znj.Entela Çipa, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, z.Martin Mata, Bashkëdrejtor Ekzekutiv i AADF, z.Aleksandër Sarapuli, Bashkëdrejtor Ekzekutiv i AADF, të shoqëruar nga stafi i MK dhe AADF.  Ministrja Margariti gjatë prezantimit shpjegoi thelbin e marrëveshjes, rolin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, si dhe theksoi se modeli që po aplikohet i hap udhën një mundësie të re të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar i suksesshëm ndër vite në shumë sitte të trashëgimisë botërore. Ministrja nënvizoi se projektligji është konsultuar me UNESCO dhe sqaroi se mbi bazën e marrëveshjes, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm, jo fitimprurës, i bashkë-themeluar midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili do të funksionojë sipas ligjit shqiptar për OJF-të dhe sipas kompetencave që i jep ligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Duke sqaruar paqartësinë se përse nuk ka pasur garë në përzgjedhjen e subjektit që do i kalohet administrimi, ministrja Margariti sqaroi se:“administrimi i kalon Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili është subjekt i themeluar nga vetë Ministria e Kulturës me një partner strategjik, pra nuk mund të ketë një garë. Dëshiroj të sqaroj gjithashtu se AADF nuk është ekskluziv në pjesëmarrje në bord. Me këtë model jofitimprurës synohet të hiqen sa më shumë partnerë strategjikë që përmbushin kriteret, pra mund të kemi në vazhdimësi partnerë strategjikë që bëhen pjesë e Fondacionit, dhe jo të vendosen në garë me njëri- tjetrin, por të vlerësohet mënyra e integrimit, si e fondeve por dhe e rolit që mund të kenë partnerë të ndryshëm, pra fondacione të tjera që fillojnë e shtohen në Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit dhe patjetër që bëhen edhe pjesë e bordit të vendimmarrjes së këtij fondacioni”.

Ministrja Margariti theksoi se Fondacioni është tërësisht jo-fitimprurës që si qëllim të vetëm ka mirëmenaxhimin e aseteve Parkut Kombëtar të Butrintit, që janë një pasuri botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe respekton të gjitha rekomandimet e rëndësishme të mirëcaktuara dhe mirëkoordinuara me UNESCO-n që në fazën e planit të menaxhimit të integruar.  “Së pari, nuk ka asnjë marrëveshje sekrete. Së dyti, Butrintit nuk po i jepet me koncension privatit. Së treti, nuk ka asnjë tjetërsim të pasurisë kombëtare. Së katërti, kjo marrëveshje administrimi nuk ndryshon asgjë në zinxhirin e shqyrtimeve dhe miratimeve të deritanishme të projekteve, që do të zbatohen në Parkun e Butrintit, qofshin këto arkeologjike,  konservuese, restauruese, por do të ndiqen ashtu si edhe më parë, të gjitha hallkat në këshillat kombëtar, përfshirë këtu Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Materiale, organ i ngritur pranë Ministrisë së Kulturës. Pra, vetë Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit nuk devijon nga asnjë kuadër ligjor dhe nuk ka tagrin e marrjes së vendimeve, të cilat i përkasin ministrisë ose institucioneve të tjera qendore apo kolegjiumeve të ndryshme sipas njohjes që i bën ligji. Së pesti, pronësia e territorit dhe aseteve të Butrintit i mbetet Ministrisë, si përfaqësues i shtetit, sepse sipas marrëveshjes së bashkëpunimit për themelimin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, AADF është në rolin e donatorit dhe nuk i lejohet të marrë pas asnjë të ardhur apo të zotërojë pronësinë e ndonjë aseti në Butrint apo kudo në Shqipëri. Fondacioni me Statut nuk e ka tagrin të posedojë pasuri të tilla”, theksoi ministrja Margariti.

Kryetarja e komisionit, znj.Klotilda Bushka në cilësinë e bashkërelatores vlerësoi rëndësinë e veçantë të nismës për një pasuri kombëtare si Parku i Butrintit dhe duke iu referuar ligjit për trashëgiminë kulturore të miratuar në vitin 2018, theksoi se ndryshimet ligjore i hapën udhë modeleve të menaxhimit që kanë rezultuar tepër të suksesshme në botë për promovimin dhe konservimin e pasurive kulturore, pjesë e trashëgimisë kombëtare dhe botërore. Znj.Bushka sqaroi se projektligji është në përputhje e Kushtetutën, ndërsa marrëveshja e administrimit është bazuar në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”. Znj.Bushka theksoi se Fondacioni do të funksionojë sipas legjislacionit në fuqi, ku përcaktohen qartë detyrimet e transparencës në performancë dhe menaxhimin e fondeve, ndërkohë që të ardhurat e gjeneruara nga marrëveshja do ti nënshtrohen auditimit nga një prej kompanive më të mëdha audituese ndërkombëtare. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 


Share