Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen dy projektrezoluta, 2 projektligje dhe 3 projektvendime

  • Postuar më, 12/05/2022

12 maj 2022

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancën plenare të radhës.

Në nisje të seancës, Kryetarja  Nikolla ndër të tjera njoftoi se në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit mirëkuptimi për tu përfshirë në rendin e ditës kërkesa për mocion me debat për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë, e paraqitur nga një grup deputetësh të pakicës parlamentare. Në bazë të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja Nikolla njoftoi për zhvillimin e një debati të hapur për çështjen. Kërkesa u prezantua nga deputeti z.Sali Berisha, i cili mes të tjerash theksoi se njohja e gjenocidit serb në Srebrenicë është detyrim madhor për të dënuar këtë gjenocid dhe kusht themelor për t’u mos u përsëritur më. Kryetari i grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla, në fjalën e tij, e përshkroi Masakrën e Srebenicës “si krimin më të rëndë në territorin e Evropës që prej Luftës së Dytë Botërore dhe vuri në dukje se vrasjet në Srebenicë janë klasifikuar si genocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish -Jugosllavinë.”

Pas diskutimeve, kërkesa për mocion u rrëzua me votim të hapur, pasi morri 17 vota pro me 51 vota kundër.

Më pas diskutimet vijuan sipas rendit të ditës, ku u shqyrtuan projektrezolutat e dy institucioneve të pavarura lidhur me raportimin e veprimtarisë përgjatë vitit 2021, si dhe dy projektligje.

 Projektrezolutat

Diskutimet e Kuvendit nisën me raportimin e veprimtarisë vjetore të Agjencisë të Sigurimit të Depozitave dhe Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021. Drejtuesit e këtyre institucioneve, z. Genci Mamami për ASD dhe  z. Denar Biba për Autoritetin e Konkurrencës, raportuan në Kuvend për veprimtaritë e institucioneve përkatëse.

Përmes rezolutës së paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi ndër të tjera i rekomandoi Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022 të përmirësojë punën në drejtim: të kryerjes së simulimeve teknike me anëtarët e skemës së sigurimit të depozitave, në funksion të përmirësimit të raportimit të saktë dhe në kohë nga subjektet anëtare në Agjenci në rast ngjarje sigurimi; të përmirësojë kapacitetet e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit; të përmirësojë procedurat operacionale të Agjencisë për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të shkaktohen nga situata; të identifikojë ndryshimet e mundshme ligjore dhe nënligjore për sigurimin e depozitave me qëllim përputhshmërinë e kuadrit ligjor dhe rregullativ të juridiksionit vendas me Direktivën e Bashkimit Evropian 2014/49/EU “Për skemat e sigurimit të depozitave”; etj. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 76 vota pro,  36  kundër dhe  3 abstenim.

Diskutimet vijuan me shqyrtimin e raportit të Autoritetit të Konkurrencës për veprimtarinë e vitit 2021. Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve theksuan se nevojitej një rol më aktiv i Autoritetit të Konkurrencës për kryerjen e analizave për tregun e hidrokarbureve dhe çmimeve të produkteve të shportës, duke marrë masa konkrete dhe vendosur gjoba për abuzuesit dhe mbrojtur interesin e qytetarëve.  Deputetët e mazhorancës argumentuan se çmimet nuk u rritën për arsye të tregut të brendshëm, por si pasojë e rritjes së çmimeve për shkak të krizës energjetike dhe invazionit rus në Ukrainë.  Zëvendëskryeministri, z.Arben Ahmetaj, deklaroi mes të tjerash se: “Të ardhurat shtesë janë shpërndarë, përmes subvencionit të sektorit energjetik në masën 200 milionë dollarë dhe përmes paketës sociale. Dhe do të vijojmë ti shpërndajmë. Asnjë qytetar apo biznes nuk paguan asnjë lekë më tepër për çmimin e rritur të energjisë. Spanja dhe Portugalia kanë kërkuar të dalin nga rregullat bazë të Unionit të Energjisë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë çdo lek të rritje së çmimit të energjisë. Statistikat tregojnë se ne kemi ndërhyrë drejtpërdrejt aty ku çmimet janë rritur, te shporta.”

Përmes një projektrezolute të paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi i rekomandoi Autoritetit të Konkurrencës mes të tjerash: të orientohet drejt digjitalizimit të proceseve të monitorimit dhe hetimit të tregjeve; të nxisë komunikim më të mirë me publikun dhe të përmirësojë treguesit e transparencës; të angazhojë kapacitetet administrative të institucionit për intensifikimin e monitorimeve dhe përfundimin në një kohë të arsyeshme të procedurave hetimore jo vetëm në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, por edhe në tregjet e tjera referuar rekomandimeve të BE-së dhe OECD-së, si në tregun e tregtimit të vajit vegjetal, tregun e tregtimit të karburanteve, tregun e shërbimeve të telefonisë celulare, barnat dhe pajisjet mjekësore; të mbajë në monitorim përqendrimin e autorizuar në tregun e telefonisë celulare; të përfshijë sa më parë ndryshimet për rishikim e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, në procesin e konsultimit publik, me qëllim paraqitjen e tyre në Kuvend brenda vitit 2022; të fokusohet në promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës dhe komunikimin e vazhdueshëm me biznesin si dhe të intensifikojë marrëdhëniet me botën akademike për çështjet e rregullimit të tregut, me qëllim sigurimin e njohurive të nevojshme për shumë profesionistë në fushën e ligjit të konkurrencës;  të bëj vlerësimin ligjor dhe të japë asistencën e nevojshme për ndihmën shtetërore, për plotësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, si dhe të bëjë vlerësime ex-post për rastet e dhënies të ndihmës shtetërore kur ka shqetësime për konkurrencën;  të bashkëpunojë me institucionet homologe të Bashkimit Evropian për të huazuar praktikat më të mira në fushën e konkurrencës dhe të sigurojë asistencën e ekspertëve ndërkombëtare për çështje me rëndësi, etj.

Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 74 vota pro,  39 kundër dhe 3  abstenim.

 Projektligjet

Në seancën e sotme Kuvendi shqyrtoi projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore, në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri”. Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim është nënshkruar në nëntor të vitit 2021 dhe synon marrjen e një huaje prej 50 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim, në formën e mbështetjes buxhetore, që do të përdoret për financimin e programit të politikave për mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri. Programi ka për objektivë përmirësimi i aksesit të grave tek asetet; rritja e mundësive të tregut të punës për gratë; forcimin e masave institucionale për mbështetjen e politikave gjinore. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 77 vota pro,  25 kundër dhe 7 abstenim.

Rendi i ditës së seancës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale”.  Prej 35 vitesh Konventa ka shërbyer si baza e legjislacionit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave e mbi 40 shteteve dhe si i vetmi instrument ligjor detyrues në nivel ndërkombëtar. Zhvillimi i teknologjisë dhe qarkullimi gjithnjë e më i madh i të dhënave personale në ambientin digjital, ka sjellë nevojën e hartimit të protokollit ndryshues, me qëllim rritjen e sigurisë të të dhënave personale si dhe harmonizimin në nivel evropian të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, si parakusht për shkëmbimin e të dhënave midis shteteve. Gjatë diskutimeve deputetët e opozitës risollën shqetësimin e rrjedhjes së informacionit të dhënave sensitive në pragh të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Deputeti z. Nasip Naço, në emër të grupit parlamentar socialist argumentoi se Protokolli është një hap më shumë në garantimin e të dhënave dhe se disa nga risitë e këtij ligji lidhen me shtimin e së drejtës së subjekteve për të ushtruar kontroll mbi të dhënat personale të tyre. Konventa e modernizuar do të përmbajë të njëjtin nivel sigurie të mbrojtjes së të dhënave personale, sikurse legjislacioni evropian. Njëkohësisht hyrja në fuqi e protokollit ndryshues të Konventës do të lehtësojë qarkullimin e të dhënave personale midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre që nuk janë pjesë e BE-së.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 83 vota pro, 17 kundër dhe 5 abstenim.

Projektvendimet

Seanca plenare miratoi sot tre projektvendime që lidhen me miratimin e strukturave dhe klasifikimit të pagave të tre institucioneve të krijuara në zbatim të reformës në Drejtësi. Më konkretisht:

1.Projektvendimi ““Për disa shtesa dhe ndryshimeve në vendimin nr. 92/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 102 vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenim; 

2.Projektvendim ““Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 93/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 102 vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenim;

3.Projektvendim ““Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 94/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve publikë”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 102 vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenim.

 

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 18:00


Share