Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore për diskutimin e raportit të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2021

  • Postuar më, 11/05/2022

Në drejtimin e kryetarit, z. Eduard Shalsi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e radhës zhvilloi një seancë dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, lidhur me raportimin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2021.  Fillimisht Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të punës dhe rezultateve të BSH përgjatë vitit të shkuar, duke u ndalur edhe në punën e bërë nga institucioni për respektimit të rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.

Z.Sejko parashtroi se realiteti i ri ekonomik, i shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ka sjellë rritje të çmimeve të produkteve bazë në tregjet botërore, duke shtrenjtuar kostot e jetesës së familjeve dhe  rritur kostot e prodhimit të bizneseve.  “Kjo goditje me ndikim të dyfishtë – në rritje për çmimet dhe në rënie për aktivitetin ekonomik – do të transmetohet edhe në ekonominë shqiptare. Ajo pritet të sjellë norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike në Shqipëri krahasuar me vlerësimet tona përpara fillimit të luftës. Megjithatë, trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit pritet të mbetet i pacenuar në afatin e mesëm dhe të gjatë”, u shpreh z.Sejko, duke shtuar më tej se parashikimet e BSH për rritjen ekonomike gjatë vitit 2022 janë pozitive për shkak të ekuilibrave të konsoliduar ekonomikë dhe financiarë, si dhe stimulujve të politikave monetare e fiskale. “Ne parashikojmë që inflacioni të mbetet në nivele relativisht të larta gjatë vitit 2022. Më tej, ai pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023, në linjë me reduktimin e pritur të presioneve në tregjet botërore, dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024”, u shpreh z.Sejko. Lidhur me treguesit ekonomikë, Guvernatori sqaroi se ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2021 me parametra të përmirësuar ekonomikë e financiarë. “Ekonomia shqiptare u rimëkëmb me hapa të shpejtë gjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave,PBB u rrit me 8.5%, pas tkurrjes me 3.5% gjatë vitit 2020. Rritja e shpejtë ekonomike pasqyroi reduktimin e masave kufizuese, rritjen e besimit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe stimujt monetarë dhe fiskalë. Këta faktorë i hapën rrugë zgjerimit të shpejtë të kërkesës për mallra e shërbime. Rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pati disa karakteristika, të cilat ilustruan fleksibilitetin e ekonomisë sonë dhe janë premisa inkurajuese për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në vijim”, u shpreh z.Sejko, duke shtuar më tej se rimëkëmbja u shoqërua me përmirësim të ekuilibrave ekonomikë e financiarë të vendit. “Deficiti i llogarisë korrente zbriti në një nivel mesatar prej 7.7% të PBB-së gjatë vitit 2021, kundrejt nivelit 8.7% të regjistruar një vit më parë. Në sferën fiskale, kombinimi i rritjes ekonomike me rënien e deficitit buxhetor ndihmoi rënien e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së në 73.2%, nga 74.5% të regjistruar në vitin 2020.Rritja progresive e kërkesës për mallra e shërbime mundësoi rritjen e punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, duke u pasqyruar në një trend rritës të inflacionit në linjë me objektivin tonë. Inflacioni mesatar rezultoi në nivelin 2.0% në vitin 2021, kundrejt vlerës 1.6% të një viti më parë. Nga ana tjetër, rritja e shpejtë e çmimeve në tregun ndërkombëtar e shtyu inflacionin në nivelin 3.7% në muajin dhjetor 2021 dhe 5.7% në muajin mars 2022”, sqaroi z.Sejko. Lidhur me politikën monetare, Guvernatori sqaroi se norma bazë e interesit mbeti në nivelet e veta më të ulëta historike, prej 0.5%, ndërsa vëllimi i likuiditetit të injektuar në sistem u rrit. “Vëllimi i kredisë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 8.4% gjatë vitit 2021 - norma më e lartë e rritjes prej vitit 2012. Përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartën sinjale të tjera positive”, u shpreh z.Sejko, duke shtuar se vlerësimet empirike të BSH tregojnë se kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuuar me rreth 1.3 % në rritjen ekonomike të vitit 2021. Gjatë raportimit, Guvernatori u ndal në çështjet e stabilitetit financiar dhe të mbikëqyrjes e rregullimit bankar; zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të MONEYVAL, në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; përmirësimi i kuadrit rregullator për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e konsumatorit, etj. Deputetja znj. Pranvera Resulaj në cilësinë  e bashkërelatores së raportit, vlerësoi punën e BSH përgjatë vitit 2021 në përmbushjen e funksioneve të saj pavarësisht sfidave të pandemisë dhe konfliktit në Ukrainë, duke reaguar në kohën e duhur për të amortizuar goditjet në ekonominë shqiptare dhe tregun financiar, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, promovimin e stabilitetit financiar të vendit, etj.  Deputetja znj.Jorida Tabaku, në cilësinë e bashkërelatores së raportit vjetor të BSH, shprehu disa shqetësime në lidhje me presionet inflacioniste në vendin tonë mbi qytetarët, pavarësisht masave të ndërmarra nga BSH, nivelin e borxhit publik, rritjen e shpenzimeve për PPP, etj.  Më pas Guvernatori Sejko iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me parashikimet për inflacionin, nivelin e kredive të këqija, amnistinë fiskale, etj.


Share