Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore për diskutimin e Raportit për veprimtarinë 1-vjeçare për vitin 2021 të Autoritetit të Mediave Audiovizive

  • Postuar më, 10/05/2022

Në drejtimin e kryetares, znj. Flutura Açka Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore për diskutimin e Raportit për veprimtarinë 1-vjeçare për vitin 2021 të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Të pranishëm ishin znj. Armela Krasniqi, Kryetare e AMA-s e cila foli për punën e detajuar të Autoritetit, gjatë vitit 2021, bazuar në objektivat specifikë dhe funksionet institucionale, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

Në zbatim të detyrave dhe funksioneve të AMA-s, të përcaktuara në ligjin nr. 97/2013, në Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Autoritetit për vitet 2021-2023, znj. Krasniqi raportoi se Autoriteti ka vijuar punën me monitorimin e përmbajtjeve audiovizive të transmetuara nga OSHMA-të dhe theksoi se për shkak të situatës pandemike, një vëmendje e shtuar i është kushtuar transmetimeve me këtë temë, me fokus reklamat për medikamentet, apo trajtimit të çështjeve shëndetësore, në përgjithësi. Ndër përparësitë gjatë monitorimit të transmetimeve audiovizive. znj. Krasniqi theksoi dhe “mbrojtjen e fëmijëve, nga përmbajtjet e papërshtatshme”.

Në përfundim kryetarja Krasniqi siguroi se, Autoriteti do të vijojë punën, me përkushtim e profesionalizëm, në përmbushje të rolit dhe misionit të tij si rregullator i transmetimeve audio dhe audiovizive në vendin tonë.



Share