Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje dhe dy projektvendime

  • Postuar më, 28/01/2022

26 janar 2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi dhe miratoi 3 projekligje, si dhe miratoi dy projektvendime që lidhen me krijimin dhe funksionimin e nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”.

Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtuan projektligji “Për ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 1986” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”, të cilët u relatuan nga deputetja Ermonela Felaj.

Projekligji i parë u prezantua për komisionin nga znj. Olta Manjani, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila mes të tjerash sqaroi se ratifikimi i kësaj konvente synon ndër të tjera: forcimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues për krijimin e hapësirave të nevojshme në zbatimin e parimeve të kësaj konvente, duke bërë përafrimin me standardet ndërkombëtare të punës së ILO-s, si dhe të Bashkimit Evropian në këtë fushë, si dhe nxitjen e ndërveprimit të organizatave të punëdhënësve e punëmarrësve dhe strukturave përgjegjëse shtetërore në luftën kundër këtij fenomeni. Znj. Ermonela Felaj, në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës sepse krijohet mundësia e përmirësimit të legjislacionit në fuqi, jo vetëm për parandalimin dhe ndërshkimin e dhunës dhe ngacmimet e lidhura me punën, por garanton mbrojtjen e jetës dhe shëndetin e punëmarrësit, kompenson dëmin fizik, psikologjik, social, emocional, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”, u prezantua për komisionin nga z. Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm dhe z. Eduart Merkaj, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në DPPSH.

Z. Mahila bëri prezantimin e detajuar të projektligjit duke theksuar se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit doganor e policor. Qendra do të pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, por krijimi i kësaj qendre nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e policore, pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve, nëpërmjet shkembimit të informacionit, duke mirë përcaktuar detyrat e qendrës, të pavarura nga detyrat e organeve doganore e policore.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Më tej në cilësinë e komisionit përgjegjës u mor në shqyrtim projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të vitit 1957”, i cili u prezantua nga znj.Adea Pirdeni, zëvendësministre e Drejtësisë dhe u relatua nga deputeti Saimir Hasalla.  Znj. Pirdeni gjatë prezantimit të detajuar të projektligjit sqaroi nevojën e lidhjes së kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve dhe efektet e pritshme të saj. Znj.Pirdeni sqaroi se legjislacioni në fuqi mbi ndihmën e ndërsjellë juridike në fushën penale është i kushtëzuar lidhur me shtetësinë e shtetasve për të cilët kërkohet ekstradimi, pasi nuk lejohet ekstradimi i shtetasve të shtetit të kërkuar, me përjashtim të rasteve kur ka marrëveshje ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe shtetit tjetër.  Për këtë shkak,  ka lindur nevoja për rregullimin e këtij elementi duke i hapur rrugë ekstradimit të shtetasve spanjollë në Shqipëri dhe shtetasve shqiptarë në Spanjë, duke forcuar kështu bashkëpunimin ndërkombëtar kundër kriminalitetit dhe duke garantuar ndëshkueshmërinë e autorëve të veprave penale. Deputeti Saimir Hasalla në cilësinë e relatorit vlerësoi se projekt-akti është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe ftoi kolegët e komisionit të votojnë pro miratimit të nismës. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë

Dy pikat e fundit të rendit të ditës së komisionit ishin krijimi i nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës” dhe miratimi i rregullores për organizimin dhe funksionimin e nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”.

Kryetarja Bushka njoftoi se në zbatim të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, më datën 25 janar 2022 është paraqitur Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit mbi vlerësimin e kandidaturave për plotësimin e 2 vakancave në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës dhe sipas procedurave ligjore, janë kërkuar nga kryetari i grupit parlamentar të shumicës parlamentare dhe atij të pakicës parlamentare, që të propozojnë anëtarët për nënkomisionin përkatës, i cili vijon procedurat deri në vendimmarrje.

Znj.Bushka njoftoi dhe hodhi në votim projekvendimin për përbërjen e nënkomisionit, i cili do të përbëhet nga:znj.Klotilda Bushka, (Kryetare ), znj.Dhurata Çupi (Nënkryetare) dhe anëtarët: z.Damian Gjiknuri, z. Klevis Xhoxhi, z. Gazment Bardhi, ndërsa z. Eduart Ndreca  dhe  z. Dashnor Sula do të jenë anëtar zëvendësues. Me unanimitet u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të shkollës së Magjistraturës”.


Share