Kryetarja e komisionit të Ligjeve, znj. Klotilda Bushka mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të KE. Ftoi anëtarët e Asamblesë të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në KE
- Postuar më, 28/01/2022
.jpeg)
Znj. Klotilda Bushka, anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, njëkohësisht zëvendëskryetare e Grupit të Socialistëve në këtë Asamble, mbajti një fjalim në sesionin plenar që po zhvillohet këto ditë në Strasburg, Francë, me pjesëmarrje fizike dhe online të anëtarëve.
Në fjalën e saj znj.
Bushka foli për mekanizmat e monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit
të Evropës që synojnë respektimin nga ana e vendeve anëtare të parimeve të
demokracisë, të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe shtetit të së
drejtës. Znj. Bushka theksoi se
është për t’u vlerësuar që Asambleja ka vijuar me aktivitetin monitorues dhe
pse e gjithë bota është ndikuar nga gjendja e pandemisë dhe uron që së shpejti
Asambleja të rikthehet në kushtet optimale të punës.
Sipas Znj. Bushka,
mungesa e vizitave në vendet anëtare si rrjedhojë e pengensave nga pandemia,
por edhe ndryshimi i shpeshtë i raporterëve ka ndikuar në aktivitetin
monitorues të Asamblesë, pasi informacionet që merren në disa raste duken të
paplota ose konstatohen mospërputhje midis raporteve të ndryshme të organeve të
vetë Asamblesë.
“Aktiviteti monitorues i Asamblesë duhet të
jetë një mekanizëm që ndihmon dhe nxit vendet anëtare të vendosin e respektojnë
standartet më të mira për demokracinë, të drejtat dhe liritë themelore të
njeriut dhe shtetin e së drejtës, ndaj kur formulojmë rekomandime duhet patur
në konsideratë: se të gjithë aktorët lokalë të përfshirë janë dëgjuar; cfarë
impakti në nivel lokal sjellin rekomandimet për përmirësimin e standarteve në
vendet anëtare; cilat janë konkluzionet e raporteve të organeve të tjera të
Asamblesë për vendin përkatës”- u shpreh zonja
Bushka.
Në përfundim, pasi
vlerësoi punën e raporterëve dhe Komitetit të Monitorimit në Asamble, znj.
Bushka u kërkoi anëtarëve të Asamblesë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian
(BE) të mbështesin Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit në procesin e integrimit
me BE, me punën e tyre në parlamentet përkatëse, si dhe i ftoi të gjithë
anëtarët e Asamblesë të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e
Evropës.