Seanca plenare miratoi nëntë projektligje, 2 Akte Normative dhe 2 projektvendime

  • Postuar më, 27/01/2022

27 janar 2022

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, u zhvillua seanca plenare e radhës ku u shqyrtuan dhe miratuan nëntë projektligje, 2 akte normative dhe një projektvendim.

Projektligjet

Seanca plenare mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, në lidhje me Programin Vjetor të Veprimit për Shqipërinë për vitin 2020 në kuadër të instrumentit të asistencës së para-anëtarësimit (IPA II)”.  Programi IPA për vitin 2020 përmban shtatë veprime në sektorët: demokracia dhe qeverisja; shteti i së drejtës dhe të drejtat themelore; dhe konkurrueshmëria, inovacioni, bujqësia dhe zhvillimi rural.

Ky projektligj u miratua me 113 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim.

Projektligji i dytë i shqyrtuar ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFË) për rehabilitimin me eficencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”.  Gjatë diskutimit parlamentar u vlerësua se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë rehabilitimin energjetik të konvikteve përmes aplikimit të masave të efiçencës së energjisë dhe ndërtimin e disa konvikteve të reja, duke sjellë kësisoj përmirësim të kushteve të jetesës së studentëve. Ky projektligj u miratua me 82 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim.

Pjesë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”. Marrëveshja e huas për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”, është në vlerën e 50 milionë eurove dhe do të shërbejë për të përmirësuar proceset e reformës sektoriale në sektorin energjetik. Plani i Bashkëfinancimit për këtë projekt do të jetë AFD 50 milionë Euro dhe KfW 100 milionë Euro. Ky projektligj u miratua me vota 79 vota pro, 33 vota kundër dhe 2 abstenim.

Seanca e sotme mori në shqyrtim edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” të ndryshuar””, i cili krijon një set rregullash dhe procedurash për të bërë të mundur nxitjen e rritjes së numrit të raportimeve të pronarëve përfitues e për rrjedhojë popullimin sa më shumë të jetë e mundur e Regjistrit të Pronarëve Përfitues. Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Një tjetër projektligj që u shqyrtua gjatë seancës plenare ishte ai “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit” të ndryshuar””, i cili parashikon rishikimin e nivelit/masës së penaliteteve të parashikuara në nenin 74, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, në rastet që lidhen me deklarimin në regjistër të të dhënave të pavërteta, si dhe moskryerjen e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrime të tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara në ligj nga bizneset. Gjatë diskutimeve u vlerësua se rishikimi i masës së këtyre penaliteteve, mundëson adresimin e rekomandimeve të Task Forcës për Veprimin Financiar  (FATF), sipas së cilës Shqipëria duhet të sigurohet një kuadër ligjor i përshtatshëm për shkeljet e detyrimeve të regjistrimit për entitetet ligjore dhe OJF-të dhe të zbatohen sanksione më proporcionale dhe bindëse, bazuar në treguesin e paritetit të fuqisë blerëse. Ky projektligj u miratua me 77 vota pro,8 kundër dhe 27 abstenim.

Seanca mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 110/2018 “Për noterinë”. Gjatë diskutimeve parlamentare, deputetët e shumicës parlamentare vlerësuan se ndryshimet në këtë ligj mundësojnë futjen e disa mekanizmave të kontrollit, për rritjen e integritetit dhe besueshmërisë profesionale dhe rritjes së cilësisë së shërbimit noterial për qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund praktikës së dhënies së licencave pa asnjë kriter. Ndërkohë deputetja Dhurata Çupi në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh se nisma nuk sjell risi dhe argumentoi se ky projektligj nuk ka reflektuar vërejtjet e aktorëve kryesorë dhe se nëpërmjet tij i jepen ministrit kompetenca të tepërta. Ky projektligj u miratua me 73 vota pro, 34 kundër dhe 1 abstenim.

Një tjetër projektligj që u shqyrtua ishte ai “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”. Gjatë diskutimeve parlamentare, përfaqësuesit e shumicës parlamentare argumentuar se projektligji do të garantojë ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme si një profesion i lirë dhe i rregulluar, në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, ndërmarrja e kësaj nisme ligjore vjen si pasojë e detyrimeve që ka marrë Shqipëria  për të punuar me Task-Forcën për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL-in për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj në luftën kundër pastrimit të parave.  Gjatë diskutimeve, deputeti Dashnor Sula në emër të grupit parlamentar të PD-së u shpreh kundër nismës, sepse projektligji nuk i shërben të mirës publike dhe nuk sjell jep asnjë garanci shtesë për parandalimin e pastrimit të parave. Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Dy projektligjet e fundit që u shtuan në rendin e ditës me propozim të kryetarit të grupit parlamentar të shumicës parlamentare, ishin dy nisma të deputetit Arben Pëllumbi, e më konkretisht projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 75 vota pro, 31 kundër dhe 3 abstenim, si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i cili u miratua me 77 vota pro, 29 kundër dhe 3 abstenim.

Aktet normative

Seanca plenare mori në shqyrtim Aktin Normativ nr. 35, datë 24.12.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar””, i cili zgjat afatin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme që janë në proces regjistrimi, përfshirë edhe pasuritë e legalizuara sipas legjislacionin në fuqi. Ky afat do të zgjatet deri më 30 prill 2022. Ky Akt Normativ u  miratua me  82 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim.

Gjatë diskutimeve për Aktin Normativ 36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”,  deputetja Anila Denaj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste vlerësoi se kjo nisëm  do të mundësojë krijimin e kushteve dhe dhënien e kohës së mjaftueshme komunitetit të biznesit, për tu përshtatur me sistemin/procesin e ri të fiskalizimit dhe për të mundësuar respektimin e zbatimit të rregullave procedurale të vendosura nga ligji nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Akti Normativ vendos shtyrjen e afatit të zbatimit të penaliteteve deri më datën 30 qershor 2022 për disa kategori biznesi, e më konkretisht: biznesi i vogël; tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike, si dhe bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave, të lëshuara nga subjektet tatimpaguese. Ky Akt Normativ u miratua me 77 vota pro, 37 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimet

Kuvendi miratoi edhe dy projektvendimet e depozituara nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 66/2021 “Për zgjedhjen e Byrosë dhe Sekretariateve të Kuvendit”  me  106 vota pro; 6 vota kundër dhe 3 abstenim, si dhe projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 71/2021 “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit” të ndryshuar”” me 104 vota pro; 6 vota kundër dhe 4 abstenim.

Seanca plenare i mbylli punimet në orën 19:15. 

 

 

 

 


Share