Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përkujton Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin: Shqipëria, atdhe rezervë i hebrenjve.

  • Postuar më, 27/01/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ka përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.

“Sot, 27 Janar, është Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria u bë një “atdhe rezervë i hebrenjve”. Hebrenjtë u mbrojtën nga shqiptarët e të gjitha besimeve fetare e ideve politike, nga populli, institucionet dhe qeveritë. Mbrojtja e hebrenjve prej shqiptarëve nuk ishte rastësi, por rrjedhojë logjike e lidhjeve historike dymijë vjeçare. Sot Shqipëria është lider rajonal në luftën kundër antisemitizmit. Më 2020 Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën për Miratimin e Përkufizimit të Antisemitizmit, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, dhe organizoi Forumin e Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit.”, shkruan Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.



Share