Zhvillohet mbledhja e bordit këshilimor të projektit PACEP

  • Postuar më, 27/01/2022

Më 26 janar 2022, u zhvillua takimi i bordi këshillimor të projektit "Mbështetje për Kuvendin dhe edukimin qytetar në Shqipëri (PACEP)”, i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes Ambasadës së Zvicrës, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI).Projekti synon të mbështesë Kuvendin dhe administratën e tij në fuqizimin e ushtrimit të funksioneve ligjvënëse, mbikëqyrëse e përfaqësuese, si edhe të nxisë edukimin e qytetarëve për të marrë pjesë aktive në proceset vendimmarrëse në vend, duke pasur një parlament funksional dhe përfaqësues.

Në takim u diskutuan arritjet e deritanishme të projektit, ndër të cilat hartimi i Planit Strategjik, krijimi i Institutit Parlamentar, përmirësimi i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit, rritja e transparencës përmes mundësimit të transmetimit online në kohë reale të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe të seancave plenare në  rrjetet sociale, si edhe hartimi i Udhëzuesit të Mbikëqyrjes dhe Kontrollit. Gjithashtu, anëtarët e Bordit u shprehën për vijimësinë e projektit dhe hapat konkretë që do të ndjekin për ngritjen e qendrës së vizitorëve pranë Kuvendit, realizimin e platformës e-Legislation dhe ngritjen e grupit të punës për parlament të hapur. Veprimtaritë e projektit mbështesin objektivat strategjikë të Kuvendit dhe janë bërë pjesë tashmë e proceseve të brendshme të punës së tij.Bordi këshillimor përbëhet nga përfaqësues të organeve dhe administratës së Kuvendit të Shqipërisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ambasada zvicerane, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, NDI, si edhe nga anëtarë të të gjitha grupeve parlamentare.



Share