Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një vizitë dy ditore në Kuvendin e Republikës së Kosovës

  • Postuar më, 26/01/2022

Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, zhvilloi një vizitë dy ditore në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuadër të vijimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Gjatë kësaj vizite, Komisioni zhvilloi takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sh.T.Z Glauk Konjufca, nënkryetaren znj. Saranda Bogujevci, me dy komisionet homologe, konkretisht Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministrin e Brendshëm z. Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes z. Armend Mehaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë z. Samedin Mehmeti dhe Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë z.Petrit Ajeti. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi sfidat e përbashkëta të dy vendeve në çështjet e sigurisë, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, z.Nasip Naço shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë. "Ne jemi të gatshëm gjithnjë për një bashkëpunim të ndërsjellë, për të shkëmbyer mendime dhe informacione mes dy parlamenteve. Sigurisht që sfidat tona janë edhe më të mëdha dhe duke u takuar dhe shkëmbyer informacione besoj se do veprojmë njëlloj për t'i përballuar ato”, tha ndër të tjera z. Naço.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Sh.T.Z.Konjufca u shpreh se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë jo vetëm i domosdoshëm, por ka sjellë edhe rezultate historike për kombin.“Ne të gjitha sfidat i kemi kaluar së bashku gjatë historisë dhe fakti që gjendemi këtu, i kemi dy shtetet tona, është edhe për arsye se kemi vepruar gjithnjë në të njëjtin drejtim sipas një strategjie të përbashkët”, tha gjatë fjalës së tij Sh.T.Z Konjufca.

Në përfundim të takimit, mes komisioneve homologe u dakortësua që të thellohet bashkëpunimi mes tyre për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.


Share