Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 26/01/2022

26 janar 2022

Në drejtimin e kryetarit z.Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin mori në shqyrtim në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”.

Fillimisht komisioni shqyrtoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001”, i cili u prezantua nga z. Ardi Veliu, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u relatua nga deputeti Ilir Ndraxhi.

Z. Ardi Veliu gjatë prezantimit të projektligjit, theksoi rëndësinë e ratifikimit të Konventës ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije dhe sqaroi se: “ sistemet “anti-fouling” janë materiale që përdoren për lyerjen e fundit të anijeve me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave bimore, si alga dhe molusqe, të cilat si pasojë ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve, rritjen e konsumit të karburantit dhe ndotjen e ajrit”.

Deputeti Ilir Ndraxhi vlerësoi rëndësinë e nismës për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e njeriut, dhe se projekt-akti është në përputhje me Rregulloren dhe legjislacionin në fuqi. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin nen të nen të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”, i cili ishte miratuar parimisht në mbledhjen e mëparshme. Të ftuar për t’iu dhënë shpjegime pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Pas diskutimeve dhe sugjerimeve për riformulimin e disa neneve të caktuara të projektligjit, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin me shumicën e anëtarëve të pranishën në mbledhje dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.


Share