Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi projektligjin “Për ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 1986”

  • Postuar më, 26/01/2022

 Në drejtimin e kryetares znj. Albana Vokshi, komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 1986”.

Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektit përpara anëtarëve të komisionit  ishin znj. Olta Manjani zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe përfaqësues nga sektorët e Marrëdhënieve të Punës dhe Dialogut Social dhe Politikave të Punësimit dhe Migratore.

Znj. Manjani gjatë prezantimit  të projektligjit  theksoi midis të tjerave, objektivat që synohen të arrihen me ratifikimin e kësaj konvente dhe nënvizoi : forcimin dhe plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues, krijimin e hapësirave në zbatimin e parimeve të kësaj konvente, duke përmirësuar legjislacionin kombëtar përafrimin me standardet ndërkombëtare të punës së ILO-s, atë të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të zhvilluara në botë, në këtë fushë, nxitja e ndërveprimit të organizatave të punëdhënësve e punëmarrësve dhe strukturave përgjegjëse shtetërore në luftën kundër këtij fenomeni. “Institucionet do përmbushin siç duhet detyrimet e tyre për të mbrojtur viktimën, përfshirë kategoritë vulnerable, për një mjedis pune të shëndetshëm e miqësor, rritja e ndërgjegjësimit, formimit profesional dhe mbrojtja efektive e viktimave të prekura nga dhuna dhe ngacmimi në botën e punës, duke ndikuar në sigurinë, shëndetin dhe efektivitetin në punë”, përfundoi znj. Manjani në fjalën shpjeguese përpara anëtarëve të komisionit.

Znj. Mirela Pitushi, në cilësinë e relatores, vlerësoi rëndësinë e nismës për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe garantimin e një mjedisi pune pa dhunë si dhe përgëzoi nismëtarët e këtij projektligji, veçanërisht Këshillin Kombëtar të Punës duke bërë dhe komente përsa i përket kuadrit ligjor. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share