Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 26/01/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Mimi Kodheli, Komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”. Të ftuar për të prezantuar projektligjin ishin znj. Vilma Bello, zëvendësministre në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe përfaqësues të tjerë, të kësaj ministrie.

Gjatë prezantimit të projektligjit, znj. Bello u shpreh se Konventa Kuadër për Etikën në Turizëm e UNWTO-së përbën një bazë të dakordësuar për të udhëhequr një ringjallje të turizmit pas goditjes që mori ky sektor si pasojë e kufizimeve për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid 19. “Aktualisht pjesë e kësaj konventë janë 14 shtet anëtare të UNWTO-së. Nëpërmjet kësaj Konvente synohet të promovohet një turizëm i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i arritshëm universalisht, përmes zbatimit të parimeve etike në turizëm, duke kërkuar nga të gjithë aktorët që ndikojnë në zhvillimin e turizmit të respektojnë parimet etike në këtë sektor” u shpreh znj. Bello. 

Në cilësinë e relatorit, z.  Blendi Klosi vlerësoi projektligjin dhe impaktin që do të kenë angazhimet e ndërmarra në kuadër të saj për nxitjen dhe rimëkëmbjen e turizmit. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektin në fjalë. 

Më tej në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001”. Të ftuar për të shpjeguar projektatin dhe efektet e tij ishin z. Ardi Veliu, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe drejtorë të kësaj ministrie. Z. Veliu shpjegoi se projektligji ka si synim aderimin në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, ose siç quhet ndryshe Anti-Fouling. Më tej në fjalën e tij zëvendësministri, u ndal në shpjegimin e termave. “Sistemet Anti-Fouling janë materiale që shërbejnë për të lyer fundin e anijeve me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave bimore, si alga dhe molusqe, të cilat si pasojë ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve, rritjen e konsumit dhe ndotjen e ajrit” Konventa Ndërkombëtare për Kontrollin e Sistemeve të Dëmshme Kundër Ndotjes në Anije, e cila është miratuar në 5 Tetor 2001 - shojegoi më tej z. Veliu, do të ndalojë përdorimin e përbërjeve të dëmshme organotine në bojërat kundër ndotjes të përdorura në anije dhe do të krijojë një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e mundshëm në të ardhmen të substancave të tjera të dëmshme në sistemet kundër ndotjes.

Relatorja e projektit për komisionin znj.Hatixhe Konomi ftoi kolegët ta miratojnë projektligjin dhe shpjegoi se sipas kushteve të Konventës, Palëve në Konventë u kërkohet të ndalojnë dhe/ose të kufizojnë përdorimin e sistemeve të dëmshme anti-ndotje në anijet që mbajnë flamurin e tyre, si dhe anijet që nuk kanë të drejtë të mbajnë flamurin e tyre por që veprojnë nën autoritetin e tyre dhe të gjitha anijet që hyjnë në një port, kantier detar ose terminal në det të një pale

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, projektligji u miratua në parim nen për nen dhe në tërësi

Në përfundim, po në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, anëtarët shqyrtuan projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për Organizatën Hidrografike Ndërkombëtare”. Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektatit, në komision ishin znj. Dallëndyshe Bici zëvendësministre në Ministrinë e Mbrojtjes dhe perfaqesues te tjere te kesaj ministrie. Znj. Bici në fjalën e saj shpjeguese rreth rolit të Organizatës Hidrografike Ndërkombëtare  tha se, IHO është një organizatë ndërqeveritare, konsultative dhe teknike që përfaqëson komunitetin ndërkombëtar hidrografik. IHO-ja ka për qëllim të mbështesë sigurinë lundrimore dhe mbrojtjen e mjedisit detar dhe ka statusin e vëzhguesit në OKB-së dhe njihet si autoritet teknik për hidrografinë dhe hartografinë detare në nivel ndërkombëtar. “Anëtarësimi në këtë organizatë mund të kryhet nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, kusht ky që Republika e Shqipërisë e përmbush” u shpreh zëvendësministrja Bici. Relatori i projektit z.  Petro Koçi e vuri theksin te rëndësia  e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë pasi sipas z. Koçi konsiderohet mjaft efikas , për ruajtjen  dhe zhvillimin  e kapaciteteve teknike dhe profesionale, mundësinë  për rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit, rritjen e sigurisë lundrimore në mjedisin detar, si dhe zhvillimin e marrëdhënieve me strukturat e tjera të sigurisë lundrimore.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share