Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një projektligj
- Postuar më, 26/01/2022

26 janar 2022
Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë
dhe Financat, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim
projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave
të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen
dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”. Të ftuar për
prezantimin e nismës ishte z. Andi Mahila, zëvendësministër i Brendshëm, si dhe
përfaqësues nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Z.
Mahia bëri një prezantim të detajuar të projektligjit, i cili synon ratifikimin
e marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj greke, për ngritjen dhe
funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore, e cila do të ndihmojë
në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkufitar,
krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, etj. Zëvendësministri sqaroi se qendra do të
pozicionohet në territorin e Republikës së Greqisë, në pikën e kalimit kufitar
të Kakavijës dhe kjo nuk do të sjellë mbivendosje me organet doganore e
policore, pasi qendra do të ketë detyra të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga
detyrat e organeve doganore dhe policore. Për sa i përket kostove financiare,
z.Mahile sqaroi se do të përballohen nga programi buxhetor "Policia e
Shtetit", ndërsa për stafin nuk do ketë efekte financiare shtesë, sepse punonjësit
do të jenë pjesë e strukturës aktuale të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe
Drejtorisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Deputetja Enslemvera
Zake, në cilësinë e relatores vlerësoi projektligjin e propozuar duke theksuar
rëndësinë që paraqet kjo marrëveshje për shkëmbimin e informacionit mes dy
vendeve në fushën policore dhe atë doganore. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni
miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.