Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi ndryshimin në ligjin “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar”
- Postuar më, 26/01/2022

26 janar 2022
Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit” të ndryshuar””. Projektligji u prezantua nga z.Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputeti z. Saimir Hasalla. Z.Kadia në fjalën e tij bëri një përmbledhje të nismës, nevojës që çoi në amendimin e ligjit aktual dhe risitë që sjell projekt-akti,
“Qëllimi i këtij projekt-akti
është ndryshimi i pikave 2 dhe 3, të nenit nr. 74, të ligjit nr. 9723, datë
3.5.2007, ‘Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar’, lidhur me vlerat e
gjobave të deklarimit në regjistrin tregtar të të dhënave të pavërteta dhe mospërmbushjen
e detyrimit për regjistrimin fillestar brenda afateve të parashikuara në ligj
nga ana e subjekteve të biznesit”, parashtroi z.Kadia, duke shtuar se
ndryshimet erdhën edhe si detyrim për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së
Veprimit Financiar (FATF), e cila në raport progresin për Shqipërinë ka
rekomanduar hartimin e një kuadri ligjor të përshtatshëm për shkeljet e
detyrimeve për regjistrimet e entiteteve ligjore dhe OJF dhe të zbatojë sanksione
më proporcionale dhe bindëse, të cilat marrin parasysh treguesin e paritetit të fuqisë blerëse. Deputeti Saimir
Hasalla në cilësinë e relatorit duke evidentuar faktin se ky projektligj është
në përputhje me Kushtetutën, si dhe legjislacionin në fuqi, ftoi kolegët ta
votojnë projekt-aktin. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projektligjin
në parim, nen për nen dhe në tërësi, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm
në mbledhje.
Në përfundim të mbledhjes, kryetarja Bushka njoftoi se në zbatim
të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, më
datën 25 janar 2022 është paraqitur Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të
Kuvendit mbi vlerësimin e kandidaturave për plotësimin e 2 vakancave në Këshillin
e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të
fakulteteve të drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës. “Sipas ligjit të sipërcituar, Komisioni i Ligjeve
duhet të ngrejë nënkomisionin përkatës, i cili meret me procedurat deri në
vendimmarrje, brenda 3 ditëve nga data e njoftimit”, sqaroi znj.Bushka.