Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 25/01/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi Nen për Nen dy projektligje: projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin” i ndryshuar”” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”’

Për këto projektligje të cilat erdhën si nisma të deputetit z. Arben Pëllumbi, të ftuar për të marrë pjesë në diskutime ishin Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj. Frida Krifca, z. Irfan Tarelli Drejtor i Përgjitshëm, Drejtoria e Përgjitshme e Politikave dhe Programeve të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit Rural, z. Alban Mësonjësi Drejtor, Drejtoria e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator, znj. Jeta Deda Drejtor i AKU, dhe nga Autoriteti Kombetar i Veterinarise dhe Mbrojtjes se Bimeve znj. Tana Kika.

Gjatë diskutimeve për këtë paketë projektligjesh, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tha se ndryshimet e ardhura në të dyja projektligjet forcojnë sigurinë ushqimore në vend dhe janë të domosdoshme për tu bërë.

“Kemi një nderveprim institucional shumë më të fortë pikërisht për të garantuar sigurinë ushqimore për popullatën tonë.”, theksoi znj. Krifca.

Pas diskutimeve, komenteve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit i miratuan këto projektligje Nen për Nen ku gjatë diskutimeve kryen edhe disa ndryshime përkatëse, dhe pas ndryshimeve të miratuara këto projektligje u miratuan edhe në tërësi.


Share