Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi 3 projektligje dhe 2 Akte Normative
- Postuar më, 25/01/2022

25 janar 2022
Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në dy mbledhjet e zhvilluara gjatë ditës së sotme, shqyrtoi dhe miratoi 3 projektligje dhe 2 Akte Normative. Në mbledhjen e parë, komisioni fillimisht mori në shqyrtim Aktin Normativ 36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe Aktin Normativ nr. 35, datë 24.12.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar”, që u prezantuan nga znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë. Për Aktin Normativ 36, datë 24.12.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, znj.Vjero sqaroi se pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, nisma synon shtyrjen deri më 30 qershor 2022 të afatit të vendosjes së penaliteteve administrative për disa kategori tatimpaguesish. Zëvendësministrja Vjero sqaroi se nisma u ndërmor për ti dhënë kohën e mjaftueshme subjekteve tatimpaguese, kryesisht subjekteve të biznesit të vogël që e kanë të vështirë përshtatjen me teknologjinë dhe që nuk kanë peshë në realizimin e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit, si dhe subjekteve që ofrojnë furnizime jetike për qytetarët, si furnizim me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Deputetja Anila Denaj, në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës dhe nevojës për ti lënë kohën e mjaftueshme biznesit të vogël për implementimin e sistemit të fiskalizimit, duke ftuar kolegët ta miratojnë Aktin Normativ. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi më shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje Aktin Normativ 36, datë 24.12.2021 dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Gjatë prezantimit të Aktit Normativ nr. 35, datë 24.12.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar””, znj.Vjero sqaroi se nisma është ndërmarrë pas propozimeve dhe kërkesave të përsëritura nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me qëllim që të gjithë qytetarët, që kanë nisur procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në kuadër të ligjit nr. 90/2019, “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të kenë mundësi ta përfundojnë këtë proces deri më datën 30 prill 2022. Znj.Vjero sqaroi se ligji në fuqi ka parashikuar të drejtën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për periudhën nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri më 31 dhjetor 2020, por situata e krijuar nga tërmeti dhe pandemia COVID-19, ka bërë që një pjesë e mirë e individëve apo bizneseve nuk kanë mundur të përfundojnë këtë proces, pavarësisht se kanë kryer aplikimin. Me ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ të gjithë qytetarëve që kanë nisur ose që kanë interes të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, kanë afat të aplikojnë deri më datën 30 prill 2022. Akti Normativ gjeti mbështetjen e relatorit z.Alban Xhelili, i cili vlerësoi rëndësinë e nismës, që u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë nisur ose që kanë interes të kryejnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Pas diskutimeve dhe pyetjeve, komisioni miratoi aktin normativ dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Më tej u mor në shqyrtim projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007
“Për regjistrimin e biznesit” të ndryshuar”, i cili u prezantua nga z. Besart
Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputetja znj.Blerina
Gjylameti. Në fjalën e tij, z. Kadia u
ndal tek nevoja që çoi në amendimin e ligjit aktual dhe risitë që sjell projekt-akti,
ku mes tyre përmendi shtyrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve
përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi në Regjistrin e OjF-ve
nga 30 në 40 ditë kalendarike; faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara
hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mospërmbushjen e detyrimit për
raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, por pa hequr
detyrimin që të raportojnë deri më datën 1.4.2022; përshkallëzimin e masës së
kundërvajtjeve administrative, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni
miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Në seancën e dytë,
komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së
huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave
dhe Ekonomisë, (Huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin
e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në
Shqipëri”, për të cilin ishin ftuar znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave
dhe Ekonomisë dhe z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe
Energjisë. Znj.Ibrahimaj sqaroi se
ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze
për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës
në sektorin energjetik në Shqipëri”, në vlerën 50 milionë euro. Ministrja theksoi
se huaja do të jepet me terma më të favorshëm se kushtet e tregut dhe mundëson
suportin e nevojshmë për avancimin e reformës në sektorin energjetik. Ministrja
Ibrajimaj dhe zëvendësministri z.Bejtja iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve
lidhur me nivelin e borxhit publik, investimet e ndërmara në rrjetin e
furnizimit me energji elektrike, etj. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni
miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.
Më tej në
cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, u mor në shqyrtim projektligji “Për
profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”, i cili u prezantua nga znj.
Adea Pirdeni, zëvendësministre e Drejtësisë dhe u relatua për komisionin nga deputetja znj.
Blerina Gjylameti. Znj.Pirdeni parashtroi se nisma synon zbatimin e rekomandimeve të Task forcës për Veprimin Financiar (FATF) dhe
MONEYVAL, pasi sektori i pasurive të paluajtshme është vlerësuar si sektor
me risk të lartë për pastrimin e parave. “Në raportet e vlerësimit të ICRG
është ritheksuar në mënyrë të vazhdueshme se është e nevojshme që të hartohet
një kuadër ligjor që mundëson parandalimin e depërtimit të elementëve kriminal
përgjatë të gjithë zinxhirit të kryerjes së transaksioneve mbi pasuritë e
paluajtshme, përfshirë këtu edhe rregullimin e rolit të ndërmjetësit e pasurive
të paluajtshme”, u shpreh znj. Pirdeni. Zëvendësministrja renditi
kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të ofruar shërbimin e ndërmjetësit
të pasurive të paluajtshme, risitë që sjell nisma, si dhe procesin e
konsultimit publik që i është nënshtruar projekt-akti. Pas diskutimeve, komisioni
miratoi në parim, nen për nen, dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia
kaloi për shqyrtim seancës plenare.