Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi tre projektligje

  • Postuar më, 25/01/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Klotilda Bushka Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFW) për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”. E pranishme për të prezantuar projektin në komision ishte znj. Delina Ibrahimaj, ministre në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ministrja Ibrahimaj shpjegoi përpara anëtarëve të komisionit qëllimin e kësaj huaje, e cila do të kontribuojë në rehabilitimin energjetik të konvikteve dhe ndërtimin e disa konvikteve të reja. “Me anë të realizimit të programit synohet që, nëpërmjet aplikimit të masave të efiçencës së energjisë, të kursehet ndjeshëm energjia në godinat e rehabilituara, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, t’u sigurohen studentëve kushte jetese të përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve” sqaroi më tej, znj Ibrahimaj

Në cilësinë e relatorit z. Eduart Ndreca  duke ftuar  anëtarët ta miratojnë projektin, shpjegoi se shuma e akorduar në formën e huas do të shërbejë për rehabilitimin e konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë, faza IV dhe një pjesë e huas do të përdoret për ndërtimin e disa godinave të reja nga masterplani i qytetit Studenti 1. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët me shumicën e votave miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi, projektligjin në fjalë. 

Më tej komisioni, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”. Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth projektit ishin znj. Adea Pirdeni zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë,znj. Elena Xhixha Këshilltare e ministrit dhe z. Elvis Koçi Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave

Zëvendësministrja Pirdeni, bëri një prezantim të projektatit dhe u ndal gjerësisht në objektivat kryesorë të këtij projektati, ku ndër më të rëndësishmit nënvizoi: mbrojtjen dhe garantimin e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme si një profesion i lirë dhe i rregulluar në përmbushje të qëllimit për ndërmjetësimin e veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, në përputhje me legjislacionin në fuqi; krijimin e një kornize ligjore për përparimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke përcaktuar, ndër të tjera, detyrimin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme për të raportuar për çdo dyshim të lindur lidhur me masat e vigjilencës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Në cilësinë e relatorit për komisionin, z. Klevis Xhoxhi theksoi se ndërmarrja e kësaj nisme ligjore, i shërben  forcimit dhe  efektivitetit, në luftën kundër pastrimit të parave. Në këtë kuadër “një nga masat kryesore është pikërisht ngritja e një legjislacioni për certifikimin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme në mënyrë që bashkëpunimi për parandalimin e pastrimit të parave të kryhet edhe nëpërmjet masave të marra për certifikimin e tyre dhe formalizimin e tregut, i cili ndikon drejtpërdrejt në tregun e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme, që është një nga elementet kyçe të pastrimit të parave në Shqipëri sipas raportit” sqaroi z. Xhoxhi. 

Pas diskutimeve anëtarët me shumicë votash miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektatin në fjalë. 

 Në përfundim të mbledhjes, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020 “Për regjistrin e pronarëve përfitues” të ndryshuar””. Të ftuar për të dhënë shpjegime rreth objektivave dhe synimeve të këtij projekti, ishin z. Besart Kadia zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe znj. Ardiana Dyrmishi, Drejtore e Drejtorisë së Zhvillimit të Politikave të Ekonomisë. Z. Kadia në fjalën e tij përmendi ndryshimet që parashikon ky projektligj,  ku ndër këto ndryshime theksoi: shtyrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, nga “brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese” në “brenda 40 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese”; faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mospërmbushjen e detyrimit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, pa i çliruar nga detyrimi që raportimi të kryhet prej tyre deri më 1.4.2022; përshkallëzimin e masës së kundërvajtjeve administrative që do të vendosen në vijim të hyrjes në fuqi të projektligjit mbi bazën e vonesës në përmbushjen e detyrimit të raportimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi. Relatori  për projektin z. Saimir Hasalla duke vlerësuar se miratimi i këtij projektligji do të krijojë një set rregullash, që do të bëjnë të mundur nxitjen e numrit të raportimeve të pronarëve përfitues e për rrjedhojë edhe përpunimin e rregjistrit të pronarëve si dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve, ftoi anëtarët ta miratonin projektin. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë



Share