Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi 3 projektligje
- Postuar më, 24/01/2022

24 janar 2022
Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e tij të parë për sesionin e dytë, të legjislaturës së X parlamentare, shqyrtoi dhe miratoi 3 projektligje. Fillimisht, pas miratimit të kalendarit të punimeve të komisionit për periudhën 17 janar – 4 shkurt 2022, u mor në shqyrtim projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KfW) për rehabilitimin me efiçencën energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”, i cili u prezantua nga znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë. Gjatë paraqitjes së detajuar të nismës, znj.Ibrahimaj theksoi se marrëveshja e huas, ka vlerën 20 milione euro dhe do të përdoret për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, faza e IV.
“Qëllimi
i këtij financimi me kredi, i cili i bashkohet granteve të akorduar deri më
tani në shumën 9.43 mln euro, është të kontribuojë
në finalizimin e rehabilitimit energjetik të 19 konvikteve në total dhe në ndërtimin e minimumit
3 konvikteve të reja. Me realizimin e këtij projekti, synohet që të kursehet
ndjeshëm energjia në godinat e rehabilituara, nëpërmjet aplikimit të masave të eficencës së energjisë, t’u sigurohen studentëve kushte jetese të
përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve”, u
shpreh znj.Ibrahimaj. Deputetja Enslemvera Zake, në cilësinë e relatores
vlerësoi projektligjin e propozuar duke theksuar rëndësinë që paraqet kjo
marrëveshje për vijimin e zbatimit të projekteve të nisura për rehabilitimin e
godinave studentore ekzituesve dhe ndërtimit të godinave të reja.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni
miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe vijoi me
shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit,
ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Europian, në
lidhje meProgramin Vjetor të Veprimit për Shqipërinë për vitin 2020 në kuadër
të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II)”. E pranishme në komision ishte znj. Megi Fino,
zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila gjatë prezantimit u
ndal në qëllimin dhe thelbin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës
së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin
vjetor të veprimit për Shqipërinë për vitin 2020, në kuadër të instrumentit të
asistencës së paraanëtarësimit IPA II, e cila është miratuar në parim nga
qeveria shqiptare nëpërmjet VKM nr.157, datë 17.3.2021 dhe është nënshkruar nga
Koordinatori Kombëtar i Fondeve IPA më datë12 prill të vitit 2021. Ndër të
tjera znj.Fino sqaroi se kostoja totale e llogaritur e këtij programi është në
masën 105 421 991 euro dhe se kontributi maksimal i BE-së në këtë program është
në masën 103 300 000 euro.
Mbështetja financiare e BE do të ketë si
objektiva të përgjithshëm mbështetjen e 3 sektorëve: i) demokracia dhe qeverisja; ii) shteti i së drejtës dhe të drejtat
themelore; dhe iii) konkurrueshmëria,
novacioni, bujqësia dhe zhvillimi rural. Për komisionin relatoi deputeti z.Benet
Beci, i cili kërkoi nga kolegët mbështetjen me votë të projektligjit, duke
vlerësuar se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë vijimin e
asistencës së mëtejshme të BE-së, përmes instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit
IPA II, me qëllim mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Pas
pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projektligjin në parim, nen për nen
dhe në tërësi me votat pro të shumicës së anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi
i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 112/2020 “Për
regjistrin e pronarëve përfitues” të ndryshuar””, i cili u prezantua nga z. Besart
Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputetja
Antoneta Dhima. Gjatë prezantimit të nismës, z.Kadia shpjegoi se projektligji
synon të nxisë rritjen e numrit e raportimeve të pronarëve përfitues, si dhe
zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL-it, të cilët kërkojnë që
Shqipëria të krijojë mekanizma për sigurimin e një numri sa më të lartë të
subjekteve raportuese. Duke u ndalur në risitë e projekt-aktit, z.Kadia sqaroi
se ndryshimet u vijnë në ndihmë sipërmarrjes dhe parashikojnë ndër të tjera: mundësinë
e popullimit automatik të Regjistrit të Pronarëve Përfitues nga QKB për
subjektet raportuese ekzistuese që kanë pronësi direkte, duke iu referuar
gjendjes së ortakërisë të regjistruar në regjistrin tregtar për subjektet
raportuese me pronësi direkte; shtyrjen e afatit për regjistrimin e pronësisë raportimin fillestar të pronarëve përfitues
nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi indirekte të regjistruara në
regjistrin tregtar dhe nga OjF; etj. “Falja e gjobave të vendosura nga QKB përpara
hyrjes në fuqi të këtij projektligji në lidhje me mospërmbushjen e detyrimit për
raportimin fillestar të pronarëve përfitues apo për ndryshimin e të dhënave për
pronarët e tjerë përfitues nga subjektet raportuese, pa i çliruar nga detyrimi që
raportimi të bëhet brenda një periudhe të caktuar kohore”, veçoi ndër të tjera
z.Kadia. Deputetja Antoneta Dhima në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e projektligjit
dhe paraqiti riformulime të teknikës legjislative në disa nene të tij, por dhe propozoi
shtyrje të afatit të vendosjes së gjobave për mospërmbushjen e afatit të
deklarimit deri më datën 30 qershor të vitit 2022, duke falur edhe penalitetet
e aplikuara deri më tani. Në përfundim të diskutimeve komisioni miratoi me
shumicë votash projektligjin, sipas propozimeve të relatores dhe ia kaloi për
shqyrtim seancës plenare.