Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFW) për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”
- Postuar më, 24/01/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Agron Gjekmarkaj, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFW) për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri” Të pranishëm për paraqitjen e përmbajtjes së projektit në komision ishin znj.Kesjana Halili, Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe z. Ardian Islami Drejtor në Drejtorinë e Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Industrisë dhe Energjisë në Ministrinë e e Infrastrukturës dhe Energjisë Në nisje të mbledhjes, përfaqësuesit e opozitës në komision shprehën mosdakortësinë e tyre në lidhje me nivelin e përfaqësimit të ministrive në komision dhe kërkuan shtyrjen e shqyrtimit te projektligjit. Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, përfaqësuesit e mazhorancës nuk e moren parasysh këtë kërkesë dhe deputetët e opozitës, u larguan nga mbledhja, e cila vijoi në drejtimin e nënkryetarit të komisionit, z. Petro Koçi. Znj. Halili në fjalën e saj bëri një prezantim të detajuar të nismës, duke theksuar se, nisma ka për qëllim të kontribuojë në rehabilitimin energjetik të konvikteve dhe ndërtimin e disa konvikteve të reja. “Me anë të realizimit të programit synohet që, nëpërmjet aplikimit të masave të efiçencës së energjisë, të kursehet ndjeshëm energjia në godinat e rehabilituara, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, t’u sigurohen studentëve kushte jetese të përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve” shpjegoi znj. Halili, ndër të tjera.
Znj. Lindita Buxheli, në cilësinë e relatores, vlerësoi
rëndësinë e nismës që synon përmirësimin e kushteve të banimit të studentëve me
kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve dhe theksoi se kjo është në frymën e
përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për rritjen e nivelit të arsimimit dhe
jetesës së studentëve.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektin në fjalë