Zhvillohet mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratohet nisma e shumicës parlamentare për ndryshimet kushtetuese
- Postuar më, 21/01/2022

21 janar 2022
Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, u
zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ku u vijua me
shqyrtimin e nismës së grupit parlamentar të shumicës parlamentare “Për një
ndryshim në ligjin 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së
Shqipërisë”, të ndryshuar”, i depozituar në Kuvend më datën 15 tetor 2021.
Në nisje të mbledhjes Kryetarja znj.Nikolla falenderoi për praninë e tyre, përfaqësuesit e OPDATE dhe Delegacionit të BE në Tiranë, të cilët kanë monitoruar përgjatë gjithë kohës shqyrtimin e nismës për ndryshimet kushtetuese, që lidhen me zgjatjen e mandatit të organeve të vettimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të datës 12,
19 dhe 23.11.2021, mbledhja vijoi me shqyrtimin në parim dhe në tërësi të projekligjit.
Kryetarja e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të
Drejtat e Njeriut, znj.Klotilda Bushka, në cilësinë e bashkërelatores, vlerësoi se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe ka si qëllim primar përmbylljen
me sukses të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të
zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Znj.Bushka bëri një ekspoze të të gjithë procedurave ligjore të ndjekura nga Kuvendi pas depozitimit të nismës së 39 deputetëve të shumicës parlamentare, si dhe procesit të konsultimit publik me përfaqësues të botës akademike, grupeve të interesit, aktorë të shoqërisë dhe institucioneve përgjegjëse që preken nga këto ndryshime, si dhe me partnerët ndërkombëtarë: Komisionin e Venecias, OPDAT, ONM, etj. Znj.Bushka sqaroi më tej se pas procesit të konsultimit publik është kërkuar dhe janë marë në konsideratë opinionet dhe sugjerimet e 3 ekspertëve konsitucionalistë: znj. Aurela Anastasi, z. Erind Mërkuri dhe znj. Silva Caka.
Duke argumentuar vonesat administrative për nisjen në kohë të
punës së organeve të vettingut, relatorja argumentoi se për shkak të ngarkesës,
por mbi të gjitha të rëndësisë që ka ky proces, nevojitet shtyrja e afatit të
mandatit të tyre deri në fund të vitit 2024, kohë kur mendohet se përfundon i gjithë
procesi i rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Në vijim të procesit të konsultimit me grupet e interesit,
ekspertët, Komisionin e Venecias, por dhe me mendimet e ONM dhe OPDATE, arrihet
në konkluzionin që propozimi për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të shtyrë
afatin e organeve të Vettingut, përkatësisht KPK dhe Komisionerët Publikë, është
version i cili e justifikon situatën në të cilën ndodhemi, vjen në përputhje me
standardet europiane dhe ruan konsistencën e procesit, si dhe forcon e garanton
integritetin e tij, sepse bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të rasteve”, u shpreh znj.Bushka.
Pas diskutimeve, projektligji “Për një ndryshim në ligjin
8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, u
miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga shumica e anëtarëve të pranishëm
në mbledhje.