Kryetarja e Komisionit të Ligjeve znj.Klotilda Bushka dhe deputetë të këtij komisioni, takim me delegacionin e Komisionit për Legjislacionin të Kuvendit të Kosovës

  • Postuar më, 13/01/2022

 

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, së bashku me një përfaqësi të këtij komisioni, pritën sot në një takim delegacionin e Komisionit për Legjislacionin, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, z. Adnan Rrustemi. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi.

Fokusi kryesor i bashkëbisedimit mes dy palëve ishte forcimi i bashkëpunimit parlamentarë, njohja me sfidat e përbashkëta të dy vendeve në rrugën e integrimit europian, shkëmbimi i eksperiencave dhe konkretizimi i bashkëpunimit midis dy komisioneve parlamenteve brenda fushave të përgjegjësisë që kanë në kompetencë, e në mënyrë të veçantë njohja nga afër e punës së kryer për hartimin dhe implementimin e disa prej reformave të ndërmarra në Shqipëri, si dhe forcimi i diplomacisë parlamentare në interes të dy vendeve..

Kryetari i Komisionit për Legjislacionin i Kuvendit të Kosovës, z. Adnan Rrustemi, theksoi se ky bashkëpunim mes dy komisioneve do të ndihmojë në konsolidimin e përvojës parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe vlerësoi si tepër të rëndësishëm diskutimin e çështjeve të interesit të përbashkët dhe në mënyrë të veçantë marrjen e modeleve pozitive nga Kuvendi i Shqipërisë për hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi, Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.

Znj.Bushka krahas ofrimit të bashkëpunimit konkretë midis dy komisioneve, nënvizoi se gjatë vizitës së tyre delegacioni i Kosovës do të ketë mundësi të zhvillojë një takim me ekspertë të nivelit të lartë, kontributorë në hartimin e Reformës në Drejtësi, me qëllim njohjen konkrete me modelet dhe rezultatet pozitive që ka sjellë kjo reformë, por edhe sfidat dhe problematikat e mundshme që kanë dal gjatë implementimit të saj në vendin tonë.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e hartimit të një agjende të përbashkët pune mes dy komisioneve parlamentare, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy Kuvendeve, si dhe krijimit të një sekretariati të përbashkët që do të ndihmojë në institucionalizimin e bashkëpunimit midis dy komisioneve parlamentare.

 

   


Share