Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komisionit për Legjislacionin të Kuvendit të Kosovës: Bashkërendim midis të dy Kuvendeve për rritjen e pranisë e rolit të Kosovës në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare.

  • Postuar më, 13/01/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Komisionit për Legjislacionin, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri. Në takim ishin të pranishëm edhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Bashkëpunimi i shkëlqyer dhe vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës ka hyrë në një stad të ri. Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Shqipëria po konkretizon Partneritetin Strategjik gjithëpërfshirës me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal. Edhe bashkëpunimi  midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës ka hyrë në një stad të ri.”


Bashkëpunimi midis dy Kuvendeve do të konkretizohet në përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe zbatimin nga Kuvendi i Kosovës të përvojave pozitive të Kuvendit të Shqipërisë, përafrimin e legjislacionit në fushën e ekonomisë, financave publike,  investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë, mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën,  mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore etj.

Kryetari i Komisionit për Legjislacionin i Kuvendit të Kosovës, z. Adnan Rrustemi, falenderoi Kryetaren e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, për mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin e shkëlqyer midis të dy Kuvendeve. Ky bashkëpunim, i cili ndihmon Kuvendin e Kosovës në konsolidimin e përvojës parlamentare, kontribuon në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës si edhe rritjen pranisë së saj në organizatat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

 


Share