Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi takimin me rektorët e universiteteve: Të rrisim kontributin e ekonomisë së dijes në zhvillimin e vendit
- Postuar më, 22/12/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi sot paradite takimin me rektorët e universiteteve, për të diskutuar për marrëveshjet e bashkëpunimit të Kuvendit me institucionet e arsimit të lartë.
Kuvendi i Shqipërisë dhe 27 institucione të arsimit të
lartë (13 publike dhe 14 jopublike) në tetor e nëntor të vitit 2018, kanë
nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi. Nënshkrimi i marrëveshjeve është një
proces i hapur.
Në fjalën e saj në këtë takim Kryetarja Nikolla nënvizoi se “Këto marrëveshje kanë si qëllim promovimin e punës kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi parlamentarizmin, përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e institucioneve arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre, në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Megjithë kufizimet e imponuara nga pandemia, ky bashkëpunim për Kuvendin vlerësohet i dobishëm dhe kam besim se i tillë vlerësohet edhe nga ana juaj. Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ynë ka shumë potenciale të pashfrytëzuara. Ekspertiza dhe kompetenca që ju mund të ofroni, do të kontribuojnë që procesi legjislativ e kontrolli parlamentar të mos nisen nga interesat politike, por nga interesi publik, duke krijuar më shumë hapësira e më shumë burime që kontributi i ekonomisë së dijes në zhvillimin e vendit të rritet. Unë jam e vetëdijshme dhe do të ndikoj që të bëjmë më shumë për financimin e kërkimit shkencor, për mbështetjen e formimit të kapitalit njerëzor për teknologjitë e shërbimet e reja, për mbështetjen e botimeve universitare dhe për mbështetjen e procesit legjislativ nga një veprimtari të mirëfilltë kërkimore dhe realizmi si një proces research-based.” Rektorët pjesëmarrës në takim falenderuan Kryetaren e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, për vëmendjen që i kushton partneritetit me universitetet dhe botën akademike, rikonfirmuan angazhimin e tyre për të thelluar e zgjeruar bashkëpunimin me Kuvendin dhe gjithashtu bënë sugjerime për tërheqjen më eficente të ekspertizës juridike dhe profesionale, rritjen e fleksibilitetit dhe operativitetit të procedurave financiare, mbështetjen më të madhe me fondet e Bashkimit Evropian, kujdesin më të madh për zhvillimin e degëve për sektorët strategjikë të vendit, përfshirjen më të gjerë të universiteteve në trainimin e punonjësve të sektorit publik etj.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj.
Lindita Nikolla, në takimin me rektorët.
Të nderuar rektorë,
Mirëse erdhët në këtë takim, në të cilin do të diskutojmë ecurinë e zbatimit të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit që Kuvendi i Shqipërisë ka nënshkruar me IAL. Me shumicën prej drejtuesve të IAL jemi takuar gjatë bashkëpunimit tonë të mëparshëm dhe unë ndjej kënaqësi që takohemi sot në një kontekst tjetër. Ashtu siç ndjej kënaqësi të takohem edhe me mjaft kolegë prej jush, me të cilat nuk na ka rënë rasti të takohemi më parë. Unë e kam vlerësuar bashkëpunimin e Kuvendit me IAL edhe në detyrat e mia të mëparshme, sidomos gjatë shërbimit tim si Ministre e Arsimit, por edhe si deputete, dhe e kam konsideruar këtë bashkëpunim të dobishëm për të dy palët, por ajo që është më e rëndësishmja, të dobishëm për mbështetjen e zhvillimit të vendit. Sot jemi këtu të bëjmë një bilanc të shkurtër të këtij bashkëpunimi si edhe të diskutojmë mbi vazhdimësinë e tij në të ardhmen.
Nënshkrimi i marrëveshjeve është një proces i hapur
dhe ftoj në këtë proces edhe IAL me të cilat nuk kemi nëshkruar ende. Këto marrëveshje kanë si qëllim promovimin e punës
kërkimore-shkencore dhe të mendimit analitik në funksion të demokracisë
parlamentare, rritjen e perceptimit dhe të kapaciteteve të studentëve mbi
parlamentarizmin, përmirësimin e perceptimit publik dhe njohjes më të mirë të
funksioneve të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe mbështetjen e institucioneve
arsimore në përmbushjen e funksioneve të tyre, në kuadër të zbatimit të
legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë. Unë, por edhe ju, e kemi të qartë
se ligjet që përgatiten nuk mund të jenë afatgjatë, pa një mbështetje të fortë
argumentuese, analitike dhe parashikuese, e cila fitohet prej analizave
shkencore dhe krahasimeve me arritjet bashkëkohore. Vitet e fundit Kuvendi i ka dhënë përparësi rritjes së
funksionit kontrollues e monitorues. Por kontrolli parlamentar nuk e ka
vizionin dhe fuqinë e duhur, nëse nuk merr një mbështetje të kualifikuar
shkencore. Rrjedhimisht, përfshirja e universiteteve dhe
pedagogëve dhe kontributi i tyre në ligjbërje dhe kontroll parlamentar
shndërrohet në një vlerë të shtuar dhe të mirë publike për vendin.Takimi i
fundit me drejtues të institucioneve të arsimit të lartë, u zhvillua në nëntor
të 2019, rreth një vit pas nënkshkrimit të Marrëveshjeve. Ideja fillestare e
këtij bashkëpunimi, e cila parashikonte takime të përvitshme, u pengua të zbatohej
për shkak të pandemisë. Gjatë këtyre dy viteve pandemikë, edhe Kuvendi, por
edhe IAL, kemi qenë të detyruar të
modifikojmë mjaft nga veprimtaritë tona kryesore, ju mësimdhënien,
ndërsa ne mbledhjet e komisioneve e të seancave plenare. Megjithatë, ky
bashkëpunim nuk u ndërpre. Megjithë
kufizimet e imponuara, edhe gjatë dy viteve të fundit kemi pasur një bashkëpunim, i cili për Kuvendin
vlerësohet i dobishëm dhe kam besim se i tillë vlerësohet edhe nga ana juaj. Kemi
vijuar të bashkëpunojmë në procesin e hartimit të akteve ligjore prej
komisioneve, nënkomisioneve dhe deputetëve të Kuvendit, nëpërmjet ekspertizës,
konsultave dhe dëgjesave të programuara dhe të vazhdueshme me njësitë
mësimdhënëse e kërkimore-shkencore, pedagogët, ekspertët dhe studentët. Kemi
pasur kontributet tuaja në procesin e kontrollit parlamentar, nëpërmjet
konsultave dhe bashkëpunimit të komisioneve dhe strukturave të kontrollit parlamentar
me pedagogët dhe ekspertët e caktuar nga ju. Kemi organizuar me disa IAL
konferenca, seminare dhe veprimtari të tjera të këtij lloji për çështje me
interes publik, reforma të rëndësishme, projektligje, të cilat kërkojnë
konsultim të gjerë etj.Kemi ofruar mundësi që studentët të kryejnë praktika
mësimore pranë Kuvendit të Shqipërisë. Kemi vlerësuar bashkëpunimin tuaj në
konferenca dhe veprimtari të tjera parlamentare të organizuara nga Kuvendi i
Shqipërisë. Biblioteka Parlamentare dhe Arkivat Parlamentare të Kuvendit të
Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë edhe në dispozicionin tuaj. Komisionet e
përhershme parlamentare kanë organizuar seanca dëgjimore me rektorë, drejtues
të të fakulteteve, të zgjedhur e të këshillit studentor etj. përmes ekspertizës
profesionale për çështje të ndryshme me interes publik. Po i referohem
bashkëpunimit më të fundit. Gjatë seancës dëgjimore në mbledhjen e përbashkët
të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriu, ftuam 210 pedagogë për të marrë pjesë dhe kontribuar në cështjet që
u shqyrtuan. Vlerësuam pjesëmarrjen e mjaft pedagogëve, megjithëse kjo pjesëmarrje
mund të ishte më e gjerë. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka konsultuar në
një seancë dëgjimore projektligjin “Për
amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të
pasurive”, në të cilën profesorët e Fakulteti Ekonomik të Universitetit të
Tiranës dhanë kontribute mjaft të vlefshme. Komisioni për Punën, Çështjet
Sociale dhe Shëndetësinë zhvilluan gjatë këtij sesioni që sapo u mbyll seancë dëgjimore për projektligjet "Për
buxhetin e vitit 2022" me Universitetin e Mjekësisë. Komisioni për
Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka organizuar rregullisht seanca dëgjimorë
më përfaqësues të IAL për diskutimin e
buxhetit të vitit 2021 dhe 2022 si edhe për çështje që lidhen me vitin e
ri akademik 2020-2021. Dëshiroj të përmend këtu edhe aktivitetin e organizuar
në vitin 2020 nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Integrimit
Europian, në qytetin e Shkodrës, në formën e një forumi informues të
qytetarëve, pushtetit lokal dhe studentëve e pedagogeve të Fakultetit të
Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës, mbi rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Europian.
Gjithashtu, në edicionin e 5 dhe atë të 6 të Shkollës së Integrimit Europian gjatë viteve 2020 dhe 2021, Kuvendin ftoi dhe vlerësoi si pjesëmarrjen si studentë të kësaj shkolle të majft pedagogëve e kërkuesve të rinj, ashtu edhe të mjaft lektorëve nga universitetet. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, numri i studentëve që u ftuan të kryejnë praktika në Kuvend ka qenë i reduktuar, në rreth 30 studente, dhe kemi besim se ky numër do të rritet në të ardhmen. Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ynë ka shumë potenciale të pashfrytëzuara. Ekspertiza dhe kompetenca që ju mund të ofroni, do të kontribuojnë që procesi legjislativ e kontrolli parlamentar të mos nisen nga interesat politike, por nga interesi publik, duke krijuar më shumë hapësira e më shumë burime që kontributi i ekonomisë së dijes në zhvillimin e vendit të rritet. Unë jam e vetëdijshme dhe do të ndikoj që të bëjmë më shumë për financimin e kërkimit shkencor, për mbështetjen e formimit të kapitalit njerëzor për teknologjitë e shërbimet e reja, për mbështetjen e botimeve universitare dhe për mbështetjen e procesit legjislativ nga një veprimtari të mirëfilltë kërkimore dhe realizmi si një proces research-based. Dëshiroj tju bëj me dije se Kuvendi është në procesin e ngritjes së Institutit Parlamentar, një institucion i ri, pjesë e shërbimeve parlamentare të Kuvendit. Instituti do të jetë një mundësi më shumë për të zgjeruar bashkëpunimin tonë me AL dhe komunitetet akademike të vendit. Tani fjala është për ju. Pres me interes të veçantë të dëgjoj vlerësimet, propozimet dhe natyrisht, edhe kritikat tuaja për bashkëpunimin tonë.
Ju faleminderit.