Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miraton marrëveshjen kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19

  • Postuar më, 07/12/2021

Në drejtimin e nënkryetares znj. Klodiana Spahiu  Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19”. Për të dhënë shpjegime për pyetjet e anëtarëve të komisionit, të pranishëm ishin dhe znj. Eugena Tomini zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe znj. Adela Xhemali zëvendësministre në Ministrinë e Financave dhe Ekinomisë si dhe përfaqësues të tjerë nga dy ministritë përgjegjëse. 

Znj. Tomini në fjalën e saj shpjegoi se mbështetja e sektorit shëndetësor për të reaguar ndaj COVID-19 menjëherë dhe në një periudhë afatmesme konsiston në:fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve që lidhen me të, sigurimin e vaksinës së COVID-19 për mbrojtjen e popullatës nga rreziqet e COVID- 19. “Përmes këtij projekti synohet të garantohet ofrimi i shërbimeve mjekësore, si dhe sigurimi i materialeve e pajisjeve mjekësore të rëndësishme për të prekurit nga COVID-19” theksoi znj. Tomini.

Znj. Xhemali nga ana e saj sqaroi se, nëpërmjet këtij projektligji synohet ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19, në shumën prej 60 milionë eurosh për të financuar shpenzimet buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Relatorja e projektit znj. Ilda Dhori, tha se, ky fond prej 60 miljon eurosh do të përdoren për punësim të personelit mjekësor shtesë, doktorë, infermierë dhe ndihmësinfermierë si dhe  fondet e nevojshme për pagat e punës jashtë orarit për personelin mjekësor dhe jomjekësor, që shërbejnë në institucionet shëndetësore të trajtimit të pacientëve me COVID-19, blerje e pajisjeve mjekësore, sigurimi i produkteve farmaceutike të domosdoshme, si barna mjekësore, kitet diagnostikuese për koronavirus etj, sigurimi i materialeve të tjera mjekësore, si maska, doreza dhe dizinfektantë, sigurimi i pajisjeve mbrojtëse personale për punonjësit e kujdesit shëndetësor; rehabilitimi dhe përshtatja e spitaleve, blerja e vaksinave të COVID-19, që në fakt ishin dhe prioritete të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë i cili sipas znj. shkon ende për PPP me shifra të fryra. 

Relatorja për mazhorancën në komision znj. Desantila Tahiraj, vlerësoi mes të tjerash se kjo mbështetje do të shërbejë për mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik. Në përfundim znj. Tahiraj u kërkoi anëtarëve ta miratonin marrëveshjen për rëndësinë që ka në luftën kundër COVID-19 dhe situatës së krijuar prej pandemisë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët me shumicë votash marrëveshja u miratua në parim nen për nen dhe në tërësi.


Share