Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një projektligj, si dhe i përcolli seancës kandidaturën e z.Denar Biba për kryetar të Komisionit të Konkurrencës

  • Postuar më, 06/12/2021

6 dhjetor 2021

Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e radhës një projektligj, si dhe miratoi kandidaturën e z.Denar Biba për kryetar të Komisionit të Konkurrencës.

Fillimisht komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë Covid-19”, për të cilin ishin ftuar: znj.Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Eugena Tomini, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe stafi teknik i dy ministrive.

Znj.Xhemali sqaroi se projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, në shumën prej 60 milionë eurosh, e cila do të sigurojë fondet financiare të nevojshme për të financuar shpenzimet buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19. Znj.Xhemali nënvizoi se janë 12 vende të Europës dhe të rajonit, të cilët kanë shfrytëzuar  instrumentin e huas për mbështetje të sektorit publik në përballimin e pandemisë COVID-19. “Huaja e akorduar nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ka terma financiarë tepër të butë. Shuma është 60 milionë euro, maturimi 15 vjet dhe interesi, i cili përcaktohet në momentin e fundit të disbursimit, pritet të jetë nën 0.5%”, sqaroi zëvendësministrja Xhemali.

Znj. Tomini shtoi se ky instrument financiar ka për qëllim të ndihmojë qeverinë shqiptare në sigurimin e fondeve financiare të nevojshme për të financuar shpenzimet buxhetore për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, e më konkretisht në sigurimin e pajisjeve, barnave dhe shërbimeve mjekësore për të prekurit nga COVID-19, por dhe do të mundësojë blerjen e vaksinave, si mjeti i vetëm për mbrojtjen e popullatës nga rreziqet që paraqet COVID-19. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Më pas komisioni vijoi me shqyrtimin e shkresës për propozimin e kandidaturës së z.Denar Biba, për Kryetar të Komisionit të Konkurrencës, pas përfundimit të mandatit të kryetares aktuale që prej datës 15.02.2021.  Kryetari i komisionit, z.Shalsi parashtroi se kandidatura e z.Biba është propozuar nga 28 deputetë të Kuvendit dhe se z. Biba është zgjedhur anëtar i Komisionit me Vendimin nr.29/2021, ka përmbushur të gjitha kërkesat ligjore që kërkon ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” , si dhe ka meritat e duhura profesionale për të ushtruar funksionin e anëtarit të komisionit. “Nëse anëtarët e komisionit zgjidhen, në rastin e kryetarit ai emërohet nga Kuvendi”, detajoi z.Shalsi. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit me shumicë votash, vendosën dërgimin për shqyrtim në seancë plenare të kandidaturës së z.Denar Biba, për Kryetar të Komisionit të Konkurrencës.


Share