Seanca e sotme plenare miratoi një projektligj, një akt normativ dhe një projektvendim

  • Postuar më, 02/12/2021

2 dhjetor 2021

Pas përfundimit të interpelancës së kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, z. Tritan Shehu, me kryeministrin e vendit, z. Edi Rama, seanca plenare, në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, vijoi punimet duke shqyrtuar e më pas miratuar një akt normativ, një projektligj dhe një projektvendim. Konkretisht seanca miratoi aktin normativ nr. 32, datë 5.11.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me Aktin Normativ nr. 3, datë 18.01.2021 të Këshillit të Ministrave”. Projektligji i miratuar ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””. Gjithashtu, seanca votoi edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit”.

Lidhur me diskutimet plenare për aktin normativ nr. 32, datë 5.11.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me Aktin Normativ nr. 3, datë 18.01.2021 të Këshillit të Ministrave”, që synon miratimin e disa ndryshimeve në marrëveshjen me kompaninë Pfizer, që lehtësojnë procedurat për alokimin e dozave Pfizer të dhuruar nga shtete të tjera, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste diskutoi znj. Klodiana Spahiu. Ajo e konsideroi vaksinimin procesin më të rëndësishëm të momentit dhe kërkoi koordinimin dhe bashkimin e forcave, mazhorancë-opozitë. Deputetja Spahiu e konsideroi ndryshimin përmes aktit një zhvillim pozitiv për arritjen e objektivit për rritjen e numrit të të vaksinuarve në vend. Edhe znj. Mesila Doda, në emër të grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim, kritikoi mungesën e reflektimit të ndryshimeve të paraqitura në kontratë. Znj. Doda kritikoi edhe mungesën e strategjive afatmesme dhe afatgjata për pandeminë, që sipas saj, do të duhej të ishte subjekt i një diskutimi parlamentar, për të patur një strategji dalëse nga situata pandemike. Në përfundim të diskutimeve Kuvendi e miratoi aktin normativ me 112 vota pro dhe 2 abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin dhe diskutimet për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar””. Ligji i ndryshuar reflekton rekomandimet e institucioneve partnere, kryesisht Moneyval dhe FATF, dhe synon mbrojtjen e sistemit financiar dhe të ekonomisë nga kërcënimet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe duke kontribuar për paqen, sigurinë si dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të fushës. Deputeti i PD, z. Oerd Bylykbashi, në diskutimin në emër të grupit parlamentar, u shpreh se projektligji vjen si kërkesë e organizatave ndërkombëtare, çfarë sipas tij përbënte shqetësim për atë se si vendi ynë duket dhe perceptohet nga ndërkombëtarët. Ndërhyrjen e parave të krimit në ekonomi ai e konsideroi shqetësuese dhe përpjekjet nga ana e qeverisë joefikase. Megjithatë, ai u deklarua në mbështetje të projektligjit. Znj. Klotilda Bushka, në diskutimin në emër të grupit parlamentar të PS, deklaroi se deputetët e PD-së në diskutimet e tyre kanë kundërshtuar përpjekjet e qeverisë në luftën ndaj pastrimit të parave me fakte të pavërteta. Znj. Bushka u shpreh se pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit përbëjnë krime dhe veprime të sofistikuara kudo në botë dhe se kudo ato paraqesin një sfidë për organet e drejtësisë dhe organet ligjzbatuese. Znj. Bushka deklaroi se Shqipëria po zhvillon luftë pa kompromise me këto fenomene dhe se vullneti i qeverisë u duk qartë edhe me nxjerrjen e vendit nga lista gri në vitin 2015. Deputetja Bushka u shpreh se kjo nismë ndërmerret për interesin kombëtar, sipas saj, në kuadër të këtij interesi, s’mbetet tjetër në raport me ligjin veçse për të mbeshtetur nismat që forcojnë mekanizmat, monitorojnë zbatimin e ligjeve, ndihmojnë organet ligjzbatuese për të patur rezultate dhe kontribuimin përmes deklarimit të fakteve në organet përgjegjëse. Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua me 106 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.

Seanca e sotme plenare miratoi edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 166, dt. 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit”, me 111 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim.  


Share