Kryeministri z. Edi Rama thirret në interpelancë nga deputeti Tritan Shehu, mbi “Ballkanin e Hapur”
- Postuar më, 02/12/2021

Seanca plenare nisi sot punimet me zhvillimin e interpelancës e kërkuar nga deputeti i opozitës, z. Tritan Shehu, me Kryeministrin e vendit z. Edi Rama.
Tema kryesore
mbi të cilën u mbështet kjo interpelancë ishte nisma për "Ballkanin e Hapur".
Në
fillim të fjalës së tij, z. Shehu u shpreh se kjo nismë është ideuar në zyrat e
Vuçiç.
“Kjo
çështje përfshin një gamë të gjerë për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe
Serbinë. Këtu kërkohet një diskutim i gjerë, që duhej të bëhej para shpalljes
së nismës në Novi Sad. Akoma më keq, kërkon dhe kërkonte zëvendësimin e tyre me
një nismë tjetër. Jam dakord se kjo iniciativë nuk u bë brenda zyrave të PS apo
në Ministrinë e Jashtme. Ajo nuk u përgatit as me ndërmjetësimin e
ndërkombëtarëve. U ndërtua mbi bazë nacionalizmi, me vizionin gjeopolitik të
Serbisë. Në fakt është e montuar si një ngrehinë e përbashkët me ide serbe.
Kemi të bëjmë me një mbivendosje të të dy projekteve, atë të Serbisë së Madhe
mbi një Jugosllavi të re.”, - theksoi z. Shehu.
Nga
ana e tij, Kryeministri Rama tha se Ballkani i hapur nuk zëvendëson procesin e
Berlinit, por është një mekanizëm për të jetësuar procesin e Berlinit dhe për
të përshpejtuar procesin e integrimit.
“Ideja
dhe vizioni i procesit të Berlinit është i qartë për të gjithë. Sa i takon
mekanizmit Ballkani i Hapur dua t’ju informoj se ne jemi të parët që kemi nisur
me marrëveshjet kuadër dhe ne kemi në kuadër të atij procesi dy marrëveshje me
Kosovën e Malin e Zi për One Stop Shop, apo një ndalim në kufijtë tanë, por
edhe me Maqedoninë e Veriut jemi gati siç parashikohet më marrëveshjen dy
palëshe.”, - vuri në dukje z. Rama.
Më
tej, kryeministri shtoi se ndërtimi i
marrëdhënieve ekonomike është përdorur në histori si katalizator për të
zgjidhur çështje politike.
Ndërsa,
deputeti Shehu vijoi duke thënë se Kryeministri është përfshirë në një nismë me
një Kosovë të pabarabartë dhe gjykoi se një cilësim të mirë për këtë nismë e ka
dhënë ministri i jashtëm i Malit të Zi, pra nga kjo dëmet janë të mëdha.
“Përse
hyn në punë “Ballkani i hapur” përballë Shengenit të Ballkanit? Kjo nismë nuk
mund të kishte punë tjetër veç asaj që ka, dështimin e saj, siç u pa nga
rezultati i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut. Vuçic preferoi Moskën dhe Putin,
nga u kthye me premtime kundër Kosovës.”, - tha Shehu.
Kryeministri
Rama, po ashtu u përgjigj duke shtuar se Shqipëria ndodhet në një gjeografi që
nuk e kemi zgjedhur vetë dhe në këtë hapësirë jemi në kushtet ku duhet të
stimulojmë prodhimin, eksportet, ndërveprimet, por ndërkohë këta stimuj kanë të
bëjnë edhe me një treg të fragmentarizuar.
Për
më tepër, z. Rama tha se kjo nismë do të krijojë lehtësi për rreth 500 kompani
shqiptare.
“Mekanizmi i Ballkanit të hapur dhe marrëveshjet që po bëjmë, disa do firmosen para festave në Tiranë, do bëjnë që lehtësia që do u bëhet kompanive të jetë eksponenciale në raport me vështirësitë që kanë sot.”, - përfundoi Kryeministri fjalën e tij.