Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”

  • Postuar më, 01/12/2021

1 dhjetor 2021

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nën drejtimin e kryetarit z. Agron Gjekmarkaj, në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi  projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”

Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin z. Sokol Muça, Drejtor i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK), pranë ministrisë së Kulturës, si dhe stafi teknik i këtij instituti. 

Z. Muça prezantoi për komisionin rëndësinë e ndryshimeve në këtë projekt-akt, që ka për qëllim ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë. 

Deputeti z. Besjon Ajazi, në cilësinë e relatorit theksoi se ratifikimi i këtij memorandumi do të sjellë efekte pozitive në monitorimin e qarkullimit civil e fizik të pasurive kulturore ndërmjet dy palëve në këtë marrëveshje, me qëllim ndalimin e parandalimin e importit, eksportit dhe transferimit të paligjshëm të pronësisë së pasurisë kulturore; rritjen e ndërgjegjësimit për luftën e përbashkët kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore; zbatimin e procedurave lidhur me importin, eksportin dhe transferimin e pronësisë së pasurisë kulturore, referuar Konventës së UNESCO-s, 1970 dhe legjislacionit përkatës ndërmjet palëve; si dhe krijimin e mundësive për shkëmbimin e përvojave më të mira në këtë fushë, duke bashkëpunuar me institucionet kompetente të të dyja shteteve palë të kësaj marrëveshjeje”. 

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në tërësi këtë projektligj.


Share