Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua me Presidentin e Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli: Parlamenti Evropian, zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian.
- Postuar më, 01/12/2021

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot në Bruksel me Presidentin e Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli. Vizita e znj. Nikolla u realizua në kuadrin e përpjekjeve për të lobuar për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021.
Kryetarja Nikolla
e falenderoi Presidentin Sassoli për mbështetjen e tij të fuqishme, personale
dhe institucionale, për avancimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit
Perëndimor në rrugën drejt BE-së.
“Nisma juaj për
të vendosur një dialog ndërmjet Parlamentit Evropian dhe kryetarëve të
parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një instrument i
rëndësishëm për përshpejtimin e lëvizjes së vendeve të rajonit drejt Bashkimit
Evropian. Pavarësisht sfidave dhe ndikimit të pandemisë COVID-19, Shqipëria ka
avancuar në reformat e rrugëtimit drejt BE-së dhe ka përmbushur të gjitha
prioritetet e vendosura nga Këshilli Evropian. Ne kemi besim se Parlamenti
Evropian do të ndikojë për mbajtjen e Tryezës
së Parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021. Shqipëria ka pranuar
qasjen e bazuar në merita për bisedimet e anëtarësimit dhe tani është radha e
BE-së për të mbajtur premtimet dhe për të na sjellë më pranë Bashkimit
Evropian. Ne mendojmë se është e padrejtë që mbajtja e Tryezës për Shqipërinë
dhe për Maqedoninë e Veriut të pengohet nga faktorë që nuk kanë lidhje me
plotësimin nga vendet tona të standardeve integruese.”, vuri në dukje Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Kryetarja Nikolla
informoi Presidentin Sassoli për ecurinë e zhvillimeve dhe të reformave në vend
dhe përpjekjet për të ndërtuar një klimë pozitive dhe dialog konstruktiv me
opozitën. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi ka dhënë rezultate
të mira dhe po avancon pozitivisht. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë
janë tashmë funksionale, ndërsa vetting-u po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe
po jep rezultate të prekshme.
Shqipëria ka bërë
përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,
duke përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe
Europolin. Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), janë funksionale.
Shqipëria vazhdon
të ruajë një normë 100 për qind të përafrimit me politikën e jashtme të BE-së
dhe ka vazhduar të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me vendet
fqinje, për të adresuar çështjet dypalëshe dhe për të garantuar marrëdhënie të
mira fqinjësore.
Kuvendi i
Shqipërisë po lehtëson gjithashtu avancimin në rrugën e integrimit në BE, duke
bashkëpunuar ngushtësisht me Delegacionin e Parlamentit Evropian në kuadër të
Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri si edhe përmes diplomacisë parlamentare e bashkëpunimit për iniciativa rajonale ose evropiane.
Presidenti i
Parlamentit Evropian, z. David Maria Sassoli, e falenderoi Kryetaren e
Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, për informimin mbi arritjet e Shqipërisë për
përmbushjen e reformave integruese si
edhe për kontributin e Kuvendit në mbështetje të legjitimitetit të këtij
procesi dhe nënvizoi se marrëdhëniet e Parlamentit Europian me Shqipërinë dhe
Kuvendin janë të shkëlqyera dhe Parlamenti Evropian ka pasur një impenjim
konstant për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Parlamenti Europian do të
vazhdojë të insistojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet sa
më shpejt. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat që i rekomandoi Këshilli
Evropian në vitin 2020. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria ka stabilitet politik.
Parlamenti Evropian do të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian.
Sepse Bashkimi Europian pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ka një boshllëk
të madh dhe të dukshëm. Ne nuk duhet që me vonesat tona në procesin e zgjerimit
të zhgënjejmë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe të lejojmë hapësira për
influenca joperëndimore në rajon. Parlamenti Evropian do të vazhdojë
bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do t`ju ndihmojmë edhe gjatë procesit të negociatave.