Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike: Albanologët shqiptarë qëndrojnë me dinjitet në krah të dijetarëve të shquar evropianë e botërorë
- Postuar më, 25/11/2021

Kryetarja
e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti
Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, i cili nisi punimet
sot në Tiranë.
Kuvendi
organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe
e Arteve e Kosovës.
Në
Kuvend marrin pjesë, përvec akademikëve, studjuesve dhe albanologëve nga
Shqipëria e Kosova, edhe albanologë të njohur, nga universitete dhe qendra
kërkimore të huaja që kryejnë studime për botën shqiptare.
Gjeni
më poshtë fjalën e përshëndetëse të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita
Nikolla, në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike:
“Para
disa vjetësh, kur shkrimtari ynë me njohje botërore Ismail Kadare, pati një
takim me përkthyesit e tij në afro 50 gjuhë të Botës, të ftuar nga Akademia e
Shkencave për të nderuar 85-vjetorin e lindjes së tij, ndër të tjera tha se
gjuha shqipe do t’ju jetë përgjithnjë mirënjohëse për dedIkimin tuaj ndaj letërsisë
dhe kulturës shqiptare.
Edhe
unë mendoj se jashtë çdo diskutimi, gjuha, historia, kultura, identiteti dhe
qytetërimi shqiptar do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës. Por edhe shteti
shqiptar, duke e ditur mirë se ju i jeni kushtuar albanologjisë pa asnjë kusht,
pa asnjë kërkesë reciprociteti, pa asnjë detyrim palësh, e ndien për detyrë të
nderojë punën dhe kushtimin tuaj.
Dhe
kjo është një nga arsyet themelore pse unë jam sot këtu para jush, për t’ju
përshëndetur dhe falënderuar që i jeni kushtuar një gjuhe dhe kulture pa
vëllezër e motra, të vogël në dukje, por me një rëndësi themelore për studime
të rëndësisë parësore në studimet gjuhësore dhe krahasuese.
Ne
nuk na vjen keq kur na thonë se i jemi drejtuar albanologjisë për shkak të
helenistikës, romanistikës, sllavistikës apo dhe orientalistikës. Në këtë rrugë
kanë ecur albanologët më të shquar, prej themeluesve deri tek Eric Hamp.
Ky
është një pohim i sinqertë, që na bën të ditur se shqipja jonë dhe gjithçka që
është ngritur mbi të: historia, identiteti, kultura, qytetërimi, janë të
domosdoshme për të sqaruar edhe histori të të tjerëve. Kjo është bota e sotme
globale, jo vetëm në aspektin tekonologjik dhe ekonomik, por edhe kulturor,
vleror e të qytetërimeve. Ne nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin.
Kjo
është hera e parë që studiuesit albanologë, përfaqësues të të gjitha shkollave
dhe qendrave albanologjike në Botë dhe në hapësirën historike shqiptare, janë
bashkë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të
krahasuar, historizuar dhe objektivizuar faktet e burimet.
Falënderimet
tona i drejtohen para së gjithash Akademisë së Shkencave, Kryesisë së saj,
akademik Gjinushit, që na ka mundësuar të njihemi njëherësh me kontributet
tuaja mbi albanologjinë shqiptare, që nuk janë vetëm kontribute shkencore, por
njëkohësisht kontribute për Shqipërinë.
Këtu
kam parasysh jo vetëm albanologët e huaj, por edhe për brezat e albanologëve
shqiptarë, të cilët kanë qëndruar dhe qëndrojnë me dinjitet të krah të
dijetarëve të shquar evropianë e botërorë.
Detyra
ime si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë është të kem gjithë kujdesin kushtetues
për sovranitetin e vendit.
Por
sovraniteti sot është një çështje shumë relative. Në botën e sotme të
konkurrencës së vlerave, pikëpamjeve, kulturave dhe qytetërimeve, sovraniteti
lidhet gjithnjë e më shumë me identitetin. Kush ka identitet, ka sovranitet.
Dhe identiteti, përurimi i brendshëm dhe i jashtëm i tij, brenda nesh dhe në
botë, është krejt i kufizuar prej studimeve albanologjike.
Prandaj
ne e shohim të pandarë albanologjinë që zhvillohet në mjediset shqiptare prej
albanologjisë që zhvillohet kudo në Botë, sepse nuk ka ndonjë fushë tjetër
integrimi objektiv se sa kjo.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë uroj që ky kuvend të diturish, të jetë një mundësi e artë që albanologjia si dije paradigmatike jo vetëm të paraqesë e konfirmojë arritjet e saj më cilësore, në një epokë privilegjesh që i ofron shoqëria e hapur; por edhe të verifikojë e stabilizojë tezat themelore të saj, si një dije me objekt, qëllim dhe metodë shkencore.
Një
gjysmë shekulli më parë, apo edhe katër dekada më parë, një kuvend si ky ishte
i paimagjinueshëm.
Receptimet
stereotipike, për shkak të verbërisë ideologjike; si dhe refuzimet për shkak të
parimeve sot nuk ekzistojnë më. Gëzojeni këtë privilegj të lirisë dhe presim më
të mirën nga ju.
Së
fundi, besoj do të më mirëkuptoni në një kërkesë timen. Prej më se tre dakada,
në vendet tuaja, në vendet ku interesi, pasioni dhe kërkimi për albanologjinë
vazhdon të zhvillohet, zgjerohet e thellohet, janë vendosur edhe shkencëtarë të
shquar shqiptarë, lëvrues të albanologjisë apo të shkencave të lidhura me të.
Kërkesa
ime është që t’i bëni ata më shumë sesa deri sot pjesë të studimeve albanologjike
të institucioneve tuaja.
Natyrisht,
përfshirja dhe suksesi në lëmin e shkencës është një produkt individual
meritokratik. Por unë mendoj se ka ende mundësi për t’u shfrytëzuar që për
albanologjinë të kontribuojnë edhe studjuesit shqiptarë që punojnë, krijojnë e
jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që i kanë tashmë kredencialet shkencore për të
dhënë këto kontribute.
Ju
faleminderit dhe punë të mbarë.”