Thirrje për aplikim për anëtarësim të përfaqësuesve të OShC në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian

  • Postuar më, 15/12/2021

Bazuar në Ligjin nr. 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është ngritur dhe funksionon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), si struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publikë dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.

 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian drejtohet nga Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit dhe ka si Zëvendëskryetar, Kryesuesin e delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin.

 

 KKIE ka në përbërje të tij si anëtarë me të drejtë vote, kryetarët dhe zv.kryetarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe institucioneve kryesore kushtetuese, si dhe tre përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile për secilin nga kapitujt e legjislacionit të BE, të përfshira në çështje të integrimit europian (Neni 5 i Rregullores së KKIE).

 

Bazuar në Rregulloren e KKIE, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile përzgjidhen nga Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit, ndërmjet organizatave që aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik për të marrë pjesë në takime, për një periudhë 2 vjeçare.

 

Në përzgjedhje përparësi u jepet atyre organizatave që kanë vazhdimësi në veprimtarinë e tyre dhe ofrojnë ekspertizë në lidhje me çështjet e integrimit evropian. Përzgjedhja do të bëhet në bazë të ekspertizës së tyre me legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Europian.

 

Të gjithë të interesuarit, për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, duhet të paraqesin një letër interesi,  që duhet të përmbajë:

v  Të dhënat e organizatës;

v  Fushat e ekspertizës;

v  Listën e raporteve/studimeve/ analizave/fushatave/projekteve të zhvilluara 3 vitet e fundit, të cilat lidhen me çështjet e integrimit evropian;

v  Kapitullin/kapitujt e acquis në të cilët mund të kontribuojnë (1 OSHC mund të aplikojë si anëtare në 1 apo maksimumi 4 kapituj të acquis);

v  Anëtarësinë në rrjete/koalicione kombëtare/rajonale/ndërkombëtare;

v  Platformën për kontributin që ofron në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

 

Letra e interesit e shoqëruar me dokumentacionin e regjistrimit të organizatës sipas legjislacionit shqiptar, duhet të dërgohet në adresën elektronike info.kkie@parlament.al brenda datës 15 dhjetor 2021.


Share