Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen dhe në tërësi Paketën Fiskale 2022

  • Postuar më, 22/11/2021

22 nëntor 2021

Në drejtimin e kryetarit z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës vijoi me shqyrtimin nen për nen të 4 projektligjeve, pjesë e Paketës Fiskale që shoqërojnë projekt-buxhetin e vitit 2022. Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishte znj. Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i kësaj ministrie.

Në nisje të mbledhjes, kryetari z.Shalsi sqaroi se pas një periudhe diskutimesh intensive në komisione parlamentare, konsultimesh me grupet e interesit dhe kontaktesh me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë rakorduar disa ndryshime në 4 projektligjet që përbëjnë Paketën Fiskale 2022, duke nënvizuar se janë marrë në konsideratë edhe disa prej sugjerimeve të ardhura  nga komisionet e tjera parlamentare.

Ministrja Ibrahimaj iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me ndryshimet në ligjin e TVSH-së, skemën e kompensimit për prodhuesit bujqësor, akcizën, etj.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi 4 projektligjet pjesë e Paketës Fiskale 2022, e më konkretisht: projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr.92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ndër ndryshimet e miratuara në komision në ligjin ““Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, ishte heqja e përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore (plehrat kimik, pesticidet, farat dhe fidanët) dhe vendosja e një shkalle të reduktuar të tvsh-së në masën 10%. U hoq përjashtimi nga TVSH-ja  në import, për importin e makinerive prodhuese nga subjektet e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, si dhe u hoq skema e kompensimit të prodhuesit bujqësor duke kaluar nga shkalla e reduktuar 6 % në 0%.

Ndër ndryshimet e miratuara në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”; u vendos rritja e pagës dysheme të patatueshme për të ardhurat për pagat deri në 40,000 lekë/muaj.

Me ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar” u miratua vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër), taksa këto të vendosura me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ndërkohë për të mos cenuar prodhimin vendas nga këto taksa u përjashtuan fabrikat e prodhimit të qumështit, të cilat kanë të evidentuar në etiketën e miratuar nga AKU sasinë në % të këtyre produkteve që janë trupëzuar në produktit përfundimtar.  Gjithashtu u miratua edhe vendosja e taksës në masën 40 lekë/litër për lëndën djegëse të përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për aktivitetet e turizmit detar, me destinacion përdorimi jashtë ujërave territoriale shqiptare.

Në ndryshimet që iu bënë ligjit “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” u vendos si afat maksimal i zbatimit të politikës së rimbursimit për industrinë prodhuese data 31 dhjetor 2023, ndërkohë që nisur nga situata aktuale e krizës energjetike, u vendos që aplikimi i unifikimit të çmimit të gazit me 6 lekë/litër për të gjithë përdoruesit të fillojë të aplikohet nga data 1 korrik 2022. 


Share