U zhvillua mbledhja e Komisionit Hetimor për Impiantet e Trajtimit të Mbetjeve Urbane

  • Postuar më, 10/11/2021

Në drejtimin e kryetares znj. Jorida Tabaku u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Impiantet e Trajtimit të Mbetjeve Urbane. Në fillim të mbledhjes, si mazhoranca ashtu dhe opozita, të dyja palët paraqitën fakte dhe kërkesa sa i përket hetimit për punën e komisionit.

Më tej, kryetarja Tabaku, në fjalën e  saj u shpreh se disa kërkesa të depozituara nga opozita, kërkojnë informacion për hetimin e aferës së inceneratorëve nga kompani të ndryshme, kërkesa të cilat do i drejtohen Këshillit të Ministrave, Ministrisë të Financës, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bashkitë ku veprojnë inceneratorët, përfshirë bashkitë e Durrësit dhe Kavajës, disa drejtori për lëvizjet e parave për incineratorët etj.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetarja e këtij komisioni znj. Ermonela Felaj, tha se provat dokumentare edhe në hetimin penal edhe para gjykatës, ka një vlerë më të madhe provuese sesa cdo dëshmi që mund të ndodhë në këtë komision. “Rrethi i dëshmitarëve që do të duhen të pyeten në këtë komision, do duhet të rezultojë nga mbledhja e të gjitha të dhënave formale dhe informale.”- theksoi znj. Felaj.

Pas diskutimeve, komenteve e sugjerimeve të ndryshme, opozita nga ana e saj propozoi dhe miratoi specialistët që do të hetojnë pranë komisionit, znj. Marinela Ziu dhe z. Marash Logu.


Share