Komisioni për Sigurinë Kombëtare prezantim me projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”

  • Postuar më, 27/10/2021

Në drejtimin e kryetarit z.Nasip Naço, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ditën e sotme  u bë  prezantimi i projektligjit “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”. Të ftuar për prezantimin e tij në komision ishin z. Bledi Çuçi  Ministër në Ministrinë e Brendshme,  znj. Elena Pici  Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Brendshme dhe z.Muhamet Rrumbullaku, Drejtor i Përgjithshëm i SHÇBA.

Kryetari z.Naço, bëri me dije se projektligji është konsultuar për opinione edhe me struktura të tjera si, SHISH, Avokati i Popullit,  Policia e Shtetit, si dhe i është dërguar SPAK-ut, por sipas z.Naço ende nuk ka një përgjigje, nga kjo strukture, në lidhje me projektligjin në fjalë. Gjithashtu, z.Naço sqaroi se, për shkak të rëndësisë së këtij projektligji do të ngrihet një grup i përbashkët pune,  me Komisionin e Ligjeve, për diskutimin e projektit në mbledhjen e radhës.

Në nisje të prezantimit z. Çuçi, sqaroi se  ky projektligj ka për qëllim krijimin e një strukture profesionale, transparente dhe të paanshme për mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve që parashikon ky ligj. “Janë disa indikatorë që e bëjnë të domosdoshëm rishikimin e ligjit apo të akteve nënligjore ekzistuese, si reforma në drejtësi, përgjegjësia e realizimit të vetingut ndaj subjekteve, rikonceptimi me standarde i statusit të punonjësit dhe i gjithë shërbimit (Agjencisë), hapja e rrugës për investime në fushën e teknologjisë, IT, ndryshimi i ligjit të policisë gjyqësore, krijimi i institucioneve të reja të akuzës si SPAK, BKH, rikonceptimi i trajtimit të doktrinës, nevojë për njohje që materializohet në funksionet që punojnë me informacionin e klasifikuar, e deri te forcimi i integritetit të shërbimit për të plotësuar si duhet misionin mbikëqyrës ndaj subjekteve të saj” theksoi z.Cuci në fjalën e tij. Ndër risitë e projektit z.Çuçi veçoi; Emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit (në ligjin ekzistues ky autoritet emërohet dhe lirohet nga ministri i Brendshëm kurse me ndryshimet e propozuara, synohet që titullari i Agjencisë të emërohet dhe të lirohet nga Kryeministri, duke e unifikuar atë me titullarët e institucioneve të pavarura, në varësi të ministrive); Kalimin e Shërbimit në strukturë civile; Përcaktimn e detyrimeve që rrjedhin nga akte të tjera ligjore e nënligjore; Ndryshimin e emërtimit nga shërbim në Agjenci; Veprimtarinë verifikuese për pajisjen me “Certifikata të sigurimit të personelit” të subjekteve.etj. Mbledhja vijoi me pyetje dhe diskutime nga anëtarët.



Share