Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 27/10/2021

Nën drejtimin e kryetarit z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhje e radhës shqyrtuan dhe miratuan dy projektligje të rëndësishme. Fillimisht në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u shqyrtua projekligji “Për bashkëqeverisjen”, për të cilin ishte ftuar znj. Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj.Eridana Cano, drejtoreshë e Përgjithshme e e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, si dhe z.Gentian Opre, Drejtor i Analizës dhe Programimit Buxhetor në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Në fjalën e saj, ministrja Spiropali e cilësoi këtë projektligj si një mekanizëm të fuqishëm demokratik në duar të qytetarëve. “Ky projektligj nuk është vetëm derë që hapet pas çdo ankese dhe pas çdo kërkese të qytetarëve, por edhe një derë ku mund të trokasë cilido që ka një mendim apo iniciativë në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët”, parashtroi ministrja Spiropali, duke shtuar se ky projekt-akt pasqyron vizionin dhe synimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një mekanizmi gjithëpërfshirës të vendimmarrjes me publikun, si një garanci për realizimin e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme, brenda aparatit të pushtetit ekzekutiv.

“Projekt-akti përbën një nismë te re për rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe ka për qëllim përfshirjen e qytetarëve, jo vetëm në procedurat administrative që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me të drejtat dhe interesat e tyre vetjake, por edhe në proceset e tjera politikëbërëse dhe vendimmarrëse”, u shpreh Spiropali. Në përfundim të prezantimit, znj.Spiropali theksoi se projekt-akti mundëson vendosjen e kushteve të mirëpërcaktuara, për një komunikim më intensiv me qytetarët, rregulla më transparente për paraqitjen e ankesave dhe afatet e shqyrtimit të tyre, etj.

Deputetja Blerina Gjylameti në cilësinë e relatores paraqiti disa riformulime të teknikës legjislative të neneve të caktuara dhe duke vlerësuar se projektligji do të ndikojë në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike dhe përgjegjshmërinë e nëpunësve publikë ndaj qytetarëve dhe të gjitha subjekteve të së drejtës, ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin  e projektligjit  “Për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit, për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat”.  Konventat për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal kanë një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërkombëtare”, i cili u prezantua nga znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputeti Vullnet Sina.

Znj.Vjero sqaroi se Konventa ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat” krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo të Izraelit, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve. Zëvendësministrja sqaroi më tej se konventa, gjithashtu, ka dispozita, në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dyja vendet. Deputeti Vullnet Sina në cilësinë e relatorit vlerësoi se projektligji nuk ka efekte shtesë në buxhetin e shtetit dhe duke vlerësuar se konventat për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal kanë një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërkombëtare, ftoi kolegët ta miratojnë atë.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 


Share