Zhvillohet mbledhja e tretë e Komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administrates shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”

  • Postuar më, 27/10/2021

27 tetor 2021

Nën drejtimin e kryetarit të këtij komisioni z. Enkelejd Alibeaj, u zhvillua sot mbledhja e tretë e komisionit hetimor parlamentar “Për kontrollin e veprimtarisë së organeve të administratës publike dhe pushtetit vendor, për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 25 prillit 2021”.

Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ishte diskutimi i projekt-rregullores së brendshme të funksionimit të Komisionit Hetimor, caktimi i Sekretarit të Komisionit dhe administrimi i kërkesave të anëtarëve për marrje provash e të dhënash për çështjet e parashikuara në planin paraprak të hetimit.

Për shkak të debateve dhe mosdakordësisë mes palëve lidhur me rendin e ditës, përfaqësuesit e mazhorancës në komisionin hetimor u larguan nga mbledhja e komisionit, duke bërë që mbledhja të mos ketë kuorumin e nevojshëm, sipas përcaktimit të nenit 34 të Rregullores së Kuvendit.


Share