Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për buxhetin faktik të vitit 2020” dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë mes BERZH dhe OSHEE

  • Postuar më, 26/10/2021

Nën drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës, në dy mbledhje të ndryshme,  shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19”.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit për projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020” ishin: znj. Delina Ibrahimaj, z. Arben Shehu, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe stafi teknik i dy institucioneve. Gjatë prezantimit të saj për komisionin znj.Ibrahimaj theksoi se ekonomia shqiptare gjatë vitit të kaluar ishte nën efektin e dy goditjeve të njëpasnjëshme: pandemisë së COVID 19 dhe tërmetit të vitit 2019, ku për pasojë PBB u kontraktua me 4%, krahasuar me vitin 2019. “Ky është recesioni i parë në Shqipëri për më shumë se dy dekada, por ekonomia shqiptare dëshmoi qëndrueshmëri dhe rënia ekonomike rezultoi shumë më e përmbajtur se sa parashikimi fillestar, i cili luhatej midis -6% dhe -8% në vit. Gjithashtu edhe parametrat e tjerë të rëndësishëm mbetën përgjithësisht të qëndrueshëm, duke marrë parasysh përhapjen e pandemisë Covid-19 në gjithë botën dhe masat kufizuese të ndërmarra nga autoritetet publike për të frenuar përhapjen e saj, që në mars 2020. Shqipëria është veçanërisht e ekspozuar ndaj tkurrjes ekonomike të lidhur me pandeminë për shkak të marrëdhënieve të saj intensive me disa nga ekonomitë e BE-së të prekura më rëndë nga pandemia, si dhe sepse ajo mbështetet fort në sektorin e turizmit”, u shpreh znj.Ibrahimaj.

Ministrja deklaroi se të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për vitin 2020 ishin 425.9 miliardë lekë, ose rreth 34.4 miliardë lekë (-7.5%) më pak se një vit më parë. “Ky kontraktim i të ardhurave, edhe pse nga më të fortit në dekada, sërish rezultoi të ishte ndjeshëm më i zbutur se sa parashikimet fillestare. Si peshë ndaj ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme publike arritën në 26.5% të PBB (nga 27.4% në 2019)”, sqaroi znj.Ibrahimaj.

Lidhur me shpenzimet e përgjithshme publike gjatë vitit 2020 ministrja sqaroi se ishin 536.2 miliardë lekë, ose 44.3 miliardë lekë (9.0%) më shumë se në vitin 2019. “Zërat kryesorë që ndikuan në rritjen e shpenzimeve në vitin 2020 ishin rritja e shpenzimeve kapitale, në veçanti lidhur me fillimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti, si dhe rritja e shpenzimeve të ndihmës sociale për mbështetjen ndaj efekteve të pandemisë”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë deklaroi se borxhi publik  në vitin 2020 arriti nivelin prej 75.7% të PBB-së, duke shënuar një rritje nga viti 2019, por gjithsesi mbetet më i ulët se sa pritshmëritë fillestare prej rreth 80%.

Gjatë raportimit të saj, ministrja Ibrahimaj i kushtoi një hapësirë të veçantë nevojës së financimit të masave anti-COVID19, të cilat ishin në fokus të katër Akteve Normative të buxhetit 2020.

“ Në kuadër të pandemisë COVID19 u ndërmorën një sërë masash për të mbështetur ekonominë gjatë krizës, të cilat synuan: rritjen e transfertave sociale për familjet e varfra; të papunët;  mbështetje për punësimin dhe për rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik përfshirë mbështetje për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, si dhe mbështetje për sektorin e shëndetësisë. Këto paketa kushtuan rreth 43 miliardë lekë, ose 2.8% e PBB-së në vitin 2020”, sqaroi ministrja..

I pranishëm në mbledhjen e Komisionit për këtë projektligj ishte edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i cili paraqiti gjetjet kryesore dhe rekomandimet që KLSH ka për Buxhetin Faktik të vitit 2020.  Z. Shehu theksoi se KLSH ka audituar përputhshmërinë e hartimit, zbatimit dhe raportimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2020, bazuar në raportimet vjetore të transaksioneve financiare të shtetit, raportin e zbatimit të buxhetit vjetor 2020 dhe situatën makroekonomike dhe fiskale, përfshirë raportin e borxhit publik, si dhe raportin e përdorimit të fondit rezervë dhe të kontigjencës.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”.

Më herët komisioni shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19”, i cili u prezantua nga znj.Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z. Ardian Çela, administrator i OSHEE-së. Ministrja Balluku paraqiti shkaqet kryesore të kësaj huamarrjeje nga OSHEE sh.a. duke theksuar se kompania është përpjekur të përballojë krizën duke ndërprerë të gjitha investimet e parashikuara për vitin 2020. Për shkak të mungesës së reshjeve dhe përballjes me çmimet e tregut, të cilat si rrjedhojë e zhvillimeve kërkesë – ofertë për energji dhe të politikave të aktorëve kryesorë të energjisë në Evropë janë shumë më të larta, pas bisedimeve  me partnerët financiarë ndërkombëtarë u arrit të sigurohet kjo kredi me terma lehtësuese prej 70 milionë eurosh për të mbështetur OSHEE sh.a-në për të përballuar krizën e shkaktuar në kompani nga pandemia Covid – 19. Ky financim përbën në detyrim të drejtpërdrejtë për OSHEE, sh.a-në, kundrejt BERZH-it dhe në rast të pamundësisë për të shlyer detyrimet nga OSHEE sh.a-ja, detyrimet e kredisë paguhen nga Buxheti i Shtetit, mbështetur në marrëveshjen e garancisë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share