Komisioni i Ligjeve miratoi dy projektligje dhe shpalli vakancën për katër anëtarë të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit

  • Postuar më, 26/10/2021

Nën drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje. I pari ishte projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a. (OSHEE), dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë Covid-19", i cili u prezantua nga z.Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe z. Ardian Çela, administrator i OSHEE-së.

Zëvendësministri Bejtja sqaroi për komisionin se huaja nga BERZH, me vlerë 70 milionë euro, vjen në një moment që lidhet edhe me situatën e vështirë ndërkombëtare të krijuar për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Ndërsa administratori i OSHEE-së, Ardian Çela bëri të ditur se 55 milionë euro të huas nga BERZH do të shkojnë për zbutjen e efekteve të pandemisë dhe 15 milionë euro për nënstacionin e ri në qendër të Tiranës që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të kësaj zone. Deputeti Denis Deliu në cilësinë e relatorit vlerësoi kushtetueshmërinë e projekt-aktit, përputhjen e tij me Rregulloren e Kuvendit, duke ftuar kolegët ta miratojnë këtë marrëveshje. Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin  e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimit në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr. 86/2016”, i cili u prezantua nga z. Thimjo Plaku, Drejtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u relatua nga deputeti Toni Gogu. Marrëveshja ka për qëllim të disiplinojë zbatimin, administrimin dhe përgjegjësitë e palëve për vënien në punë të programit, i cili ka për objektiv specifik ti japë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë instrumente projektuese menjëherë të tenderueshme për fuqizimin e qarkullimit përgjatë drejtimeve veri – jug dhe lindje – perëndim, nëpërmjet lehtësimeve për një sërë veprash të infrastrukturës.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Në përfundim të mbledhjes, në cilësinë e komisionit përgjegjës komisioni miratoi projektvendimin “Për shpalljen e vakancës së katër anëtarëve të “Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit”.

 


Share