Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Vendeve të Ulëta (Holandës), z. Reinout Vos: Mirënjohje për mbështetjen për çeljen e negociatave dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare

  • Postuar më, 09/10/2021

9 tetor 2021 

Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Vendeve të Ulëta (Holandës), z.  Reinout Vos.

Ambasadori Vos e uroi znj. Nikolla për zgjedhjen në  detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe  shprehu gadishmërinë e Parlamentit dhe Qeverisë së Vendeve të Ulëta (Holandës) për të zgjeruar e intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, i uroi Ambasadori Vos suksese në mandatin e tij të ri dhe shprehu vlerësimin për marrëdhëniet e mira politike dypalëshe si edhe interesin për të intensifikuar më tej dialogun politik, përmes takimeve bilaterale në nivele të ndryshme.

Znj. Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën që Vendet e Ulëta  (Holanda) i kanë dhënë Shqipërisë  për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19 si edhe në shuarjen e zjarreve të rënda pyjore në Shqipëri gjatë verës që kaloi.

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohjen për qëndrimin e Parlamentit dhe Qeverisë së Vendeve të Ulëta (Holandës) ndaj çeljes së negociatave me Shqipërinë.

“Qëndrimi "strict and fair" në raport me rrugëtimin e vendeve kandidate dhe mbështetja e qartë dhe e vendosur e Vendeve të Ulëta për çeljen e negociatave dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë, konfirmojnë progresin e padiskutueshëm që ne kemi bërë në procesin e integrimit evropian. Përkushtimi ynë për rrugën drejt Bashkimit Evropian është i palëkundur, agjenda e reformave mbetet prioriteti ynë kryesor në këtë proces.”, vuri në dukje Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla.


Share