Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, bashkëbisedim me gazetarët
- Postuar më, 08/10/2021
Sot në Kryesinë e Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët e akredituar në Kuvend, për të diskutuar mbi disa prioritete të legjislaturës së re si edhe për të shkëmbyer mendime mbi bashkëpunimin në të ardhmen. Që në fillim të takimit, Kryetarja Nikolla shprehu vendosmërinë për të avancuar traditën e Kuvendit për transparencë, hapje, akses e bashkëpunim me median, shoqërinë civile, publikun dhe qytetarët. Duke u ndalur në prioritetet e legjislaturës së re, znj. Nikolla nënvizoi se ajo “do të jetë legjislatura e çeljes dhe zhvillimit të negociatave me Bashkimin Europian, pas mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare; legjislatura e avancimit dhe thellimit të reformave të rëndësishme, si reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, reforma territoriale, dhe e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
Do të jetë legjislatura e një kapitulli të ri të bashkëpunimit konkret e të detajuar me Kuvendin e Kosovës. Do të jetë legjislatura e një bashkëpunimi normal me opozitën, të cilën e kemi tashmë në Kuvend. Jo përkatësia partiake, por detyra e përgjegjësitë institucionale si Kryetare Kuvendi do të jenë udhërrëfyesi që do të më orientojë në këtë detyrë.”Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla dhe gazëtarët diskutuan edhe mbi bashkëpunimin e ardhshëm si edhe mondalitetet e ndjekjes e pasqyrimit të seancave plenare, mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtaritë e tjera parlamentare, pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve për zhvillimin e tyre me prezencë fizike. Në mbarim të tryezës, u ra dakord që ajo të institucionalizohet dhe bashkëbisedimi me gazetarët të zhvillohet në mënyrë periodike, çdo muaj.