Memorandumi i Bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës drejt finalizimit
- Postuar më, 08/10/2021
Prej datës 6 tetor, në Prizren, grupi i punës vazhdon me intensitet përgatitjen e Memorandumit të Bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Grupi i punës drejtohet nga Sekretarët e Përgjithshëm, z. Genci Gjonçaj dhe z. Ismet Krasniqi dhe atij i është bashkuar edhe Drejtori i Kabinetit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë,z. Kosta Barjaba. Memorandumi synon zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve në fushat e ligjbërjes dhe përafrimit të legjislacionit të të dy vendeve si edhe të legjislacioneve të tyre me legjislacionin e BE-së, për përshpejtimin e integrimit europian, mbështetjen ligjore të bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat, bashkëpunim në intensifikimin e diplomacisë parlamentare, për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës së saj në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare, bashkëpunimin për forcimin e kontrollit parlamentar, institucionalizimin e Tryezës së Përbashkët të Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare dhe Tryezës së Komisioneve respektive etj. Projekti i Memorandumit të Bashkëpunimit do t’u paraqitet së afërmi për shqyrtim e nënshkrim, Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, dhe Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca