Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohet unanimisht akti normativ nr. 29
- Postuar më, 07/10/2021
7 tetor 2021
Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare. Seanca, në
drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, miratoi sot unanimisht
aktin normativ nr. 29, datë 13.9.2021 “Për miratimin e tekstit të disa
ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet
PFIZER EXPORT B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të
Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit
Publik, miratuar me Aktin Normativ nr. 3 datë 18.1.2021”. Ky akt normativ, që synon
vijimin e zbatimit të marrëveshjes me Pfizer-in, përmes shtimit të sasisë së
dozave të kësaj vaksine në 500 mijë vaksina, pa u ndryshuar çmimi dhe kushtet e
lëvrimit, u miratua me 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Diskutimet në emër të grupeve parlamentare, të znj.
Doda në emër të grupit parlamentar Demokraci dhe Integrim, të znj. Vokshi në
emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe të z. Balla, në emër të
grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e vunë theksin te mesazhi i
përbashkët ndërgjegjësues për vaksinimin e qytetarëve, si e vetmja formë e
provuar si efikase në përballje me Covid 19-n.
Znj. Doda, në diskutimin e saj, kërkoi ndërgjegjësim
dhe përgjegjshmëri të qytetarëve në raport me vaksinimin, duke theksuar
mbështetjen e grupit të saj parlamentar për aktin normativ. Megjithatë, ajo u
ndal në disa problematika: ngritja me vonesë e Komitetit të Ekspertëve duke e
konsideruar të politizuar, vonesa e decentralizimit të testimeve të popullatës dhe
injektimi i fondeve të pamjaftueshme në ekonominë vendase përgjatë mbylljes.
Ajo falënderoi mjekët dhe stafet mjekësore, duke nderuar kujtimin e atyre që
humbën jetën nga radhët e tyre.
Deputetja e Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi,
duke përsëritur thirrjen për vaksinim dhe duke e bërë po ashtu me dije votën
pro të grupit të PD-së, u shpreh se politika e vaksinimit masiv të popullatës ishte
e vonuar. Vonesa dhe mungesa e transparencës ishin dy problemet kryesore të
qeverisë, sipas saj, në menaxhimin e situatës pandemike. Deputetja Vokshi shprehu
shqetësimin për nivelin e transparencës në drejtim të numrit të vaksinave, të
prekurve, të kuruarve dhe jetëve të humbura. Sipas znj. Vokshi, situata pandemike
u keqpërdor përgjatë fushatës elektorale. Ajo tërhoqi vëmendjen e qeverisë për
faktin se Shqipëria mbetej një ndër të paktat vende pa formular PLF.
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste,
z. Taulant Balla e konsideroi të rëndësishme mbështetjen e përbashkët për aktin
normativ, në mënyrë që të sigurohej zbatimi i kontratës me Pfizer-in. Z. Balla
u shpreh se nëse popullata do të arrinte përqindjen e vaksinimeve të
deputetëve, Shqipëria do të ishte një vend pa kufizime të lidhura me Kovidin,
ndaj e vuri theksin te nevoja për tejkalim debatesh partiake në çështje si kjo,
duke i dhënë rëndësi thirrjes për vaksinim, njësoj si dy diskutantët e dy
grupeve të tjera parlamentare. Z. Balla solli shembullin e Rumanisë, se sa e rrezikshme mund të ishte
për vendin anashkalimi i vaksinimit masiv. Kryetari i grupit parlamentar të
PS-së u shpreh se prej dates 9 mars 2020, kur u morën masat e para, masat e
marra nga qeveria rezultuan të duhurat. Ai u shpreh se vendi renditej në mesataren
e vendeve përreth, me nivel të kënaqshëm,
44% me një dozë, 36% me dy doza. Z. Balla kërkoi që theksi i diskutimit
parlamentar të vihej te fakti që çdo qytetari i ishte ofruar mundësia e ta
paturit të vaksinës falas, pa iu refuzuar askujt.
Seanca vijoi punimet me diskutimet parlamentare
jashtë rendit të ditës dhe përfundoi punimet sipas rregullit të paracaktuar në
konferencën e kryetarëve, për kohëzgjatjen 300-minutëshe të punimeve
parlamentare.