Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi dy dekrete të Presidentit

  • Postuar më, 06/10/2021

6 tetor 2021

Në drejtimin e kryetarit z.Eduard Shalsi, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dy Dekrete të Presidentit të Republikës: Dekretin nr. 13179 “Për kthimin e ligjit nr. 8612021 "Për miratimin e Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, Nr. 25, datë 22.06.2021, i Këshillit të Ministrave "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26. 06. 2008 "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë ", të ndryshuar “ dhe Dekretin nr. 13186, datë 28.07.2021 "Për kthimin e ligjit nr. 8712021 "Për miratimin e Aktit Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 26, datë 22.06.2021, të Këshillit të Ministrave "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 "Për buxhetin e vitit 2021 ", të ndryshuar".

Të ftuar në mbledhjen e komisionit nga institucioni i Presidencës ishin: z.Petraq Milo, Këshilltar i Presidentit për Ekonominë, z.Bledar Dervishaj, Këshilltar i Presidentit për Çështjet Ligjore dhe znj.Katrin Treska, Drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Juridike, ndërsa nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ishin: znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Adela Xhemali, zëvendëministre dhe znj.Mimoza Dhëmbi, Drejtore e Përgjithshme e Buxhetit.

Përfaqësuesit e Presidencës paraqitën përpara komisionit argumentet e mosdekretimit të dy ligjeve, duke theksuar se Aktet Normative nuk kanë justifikuar nevojën dhe urgjencën, si dhe kanë shkelur parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; parimin e proporcionalitetit, etj.  “Aktet ligjore të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, si për tërmetin e Nëntorit të vitit 2019 edhe për pandeminë COVID -19, kanë përfunduar efektet e tyre dhe aktualisht vendi ynë është në përballje me pasojat ekonomike të krijuara prej tyre, ndaj dhe Qeveria gjatë kësaj kohe ka të gjithë tagrin për të analizuar termat makro dhe mikro të ekonomisë së vendit, tagër ky që nuk i nënshtrohet presionit të kohës”, u shpreh znj.Treska. Ndërsa z.Milo shtoi disa argumente që sipas tij Akti Normativ nr.25, datë 22.06.2021, nëpërmjet ndryshimeve të miratuara, sjell efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e shpenzimeve publike kryesisht nëpërmjet rritjes së investimeve, si dhe shton rreziqet fiskale të rritjes së metejshme të borxhit publik duke përkeqësuar edhe më tej treguesit makroekonomikë.

Ministrja Ibrahimaj paraqiti përpara komisionit disa kundër-argumente lidhur me pretendimet e ngritura nga ana e Presidenti për mosdekretimin e dy ligjeve, duke theksuar se Akti Normativ për disa ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor“ synon arritjen e konsolidimit fiskal dhe stabilitetit makroekonomik, pas pasojave që i kanë lënë ekonomisë së vendit dy goditjet e njëpasnjëshme: tërmeti i Nëntorit 2019 dhe pandemia nga Covid-19. Më tej ministrja shtoi se korrigjimi i buxhetit për vitin 2021, kërkon rritje të hapësirës financuese përmes përdorimit të borxhit si instrument nxitës për ekonominë në këto momente të vështira, jo vetëm për vendin tonë. “Ndryshimi i Ligjit Organik të Buxhetit duke parashikuar përjashtimin nga rregullat fiskale i jep frymëmarrjen e duhur buxhetit për të mundësuar ndërmarrjen e iniciativave të rëndësishme, sikurse janë ato të parashikuara në Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit të  vitit 2021, me synim të qartë për një ekonomi që rritet në mënyrë të sigurt për periudhë afatgjatë. Sigurimi i rritjes ekonomike do të jetë garanti i vetëm për të mundësuar që pas vitit 2024 të kemi ulje të pandalshme të borxhit publik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj, duke shtuar se Akti normativ i katërti për rishikimin e buxhetit 2021 parashikon një rritje të nivelit të shpenzimeve kapitale me rreth 7.7% e PBB duke rritur kësisoj dhe deficitin buxhetor me rreth 0.6% e PBB—së dhe rrjedhimisht rrit dhe stokun e borxhit publik. “Në këto kushte është e pamundur që nga njëra anë të përdoret buxheti si instrument stabilizues dhe nxitës i rritjes ekonomike dhe nga ana tjetër në të njëjtën kohë të zbatohen rigorozisht rregullat fiskalë të përcaktuar nga pikat 1 dhe 4, të nenit 4/1 të ligjit ‘Për menaxhimin e sistemit buxhetor’ . Nga ana tjetër kjo politikë relaksuese fiskale në krahun e shpenzimeve, që propozohet të ndiqet nëpërmjet këtij akti normativ, theksojmë se do të jetë i përkohshëm, pasi sikurse jeni të dijeni në fund të vitit 2019 treguesit fiskalë të buxhetit kanë dëshmuar se konsolidimi fiskal është arritur bindshëm”,  u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Gjatë diskutimeve deputetët e opozitës mbështetën argumentet e sjella nga Presidenti për kthimin për shqyrtim të dy ligjeve, pasi sipas tyre ndryshimet në buxhet që parashikohen përmes Aktit Normativ nuk kanë lidhje me stimulin ekonomik dhe nuk justifikojnë nevojën dhe urgjencën.  Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, me shumicë votash, komisioni vendosi rrëzimin e  dy Dekreteve të Presidentit.

 


Share