U mbajt Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës. Përshëndet Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla
- Postuar më, 06/10/2021
Sot, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Tryezën e përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Kjo Tryezë u organizua menjëherë dhe si rezultat i vizitës së parë zyrtare të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në Kosovë dhe diskutimeve të frytshme me Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, dhe Kryeministrin, z. Albin Kurti.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës sapo kanë nisur një kapitull të ri bashkëpunimi intensiv. Tryeza e parë e Kryetarëve të Komisioneve është hapi i parë i institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar.
Paralel me këtë Tryezë, grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, janë sot në Prizren duke punuar për finalizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve tona.
“Kjo tryezë është një kantier pune i të zgjedhurve të kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen. Është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimim vëllazëror midis dy Kuvendeve tona.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Kryetarët e komisioneve parlamentare të të dy Kuvendeve, diskutuan mbi aspekte të ndryshme të bashkëpunimit parlamentar, sidomos në procesin legjislativ dhe përafrimin e legjislacionit, për të lehtësuar bashkëpunimin midis institucioneve, sektorit privat dhe qytetarëve.
Diskutimet u përqëndruan në bashkëpunimin për përafrimin e legjislacionit të të dy vendeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe zbatimin nga Kuvendi i Kosovës të përvojave pozitive të Kuvendit të Shqipërisë, përafrimin e legjislacionit në fushën e ekonomisë, financave publike, investimeve, shkëmbimeve tregtare, sigurisë, mbrojtjes, arsimit, kërkimit shkencor, kulturës, medias, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, bashkëpunimit me diasporën, mbështetjes së veprimtarive prodhuese e sipërmarrjes private, administratës publike, bujqësisë e zhvillimit rural, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, infrastrukturës dhe transportit, energjisë, qeverisjes vendore etj.
Kryetarët e komisioneve parlamentare ranë dakord që, përveç takimeve në nivel Kuvendesh, bashkëpunimi të vazhdojë dhe diskutimet të zgjerohen e thellohen në takimet midis komisioneve përkatëse dhe rezultatet e tyre të paraqiten e diskutohen në Tryezat e përbashkëta, të cilat do të mbahen në mënyrë periodike.
Gjithashtu, Kryetarët e Komisioneve diskutuan mbi kalendarin e punës dhe vijimin e takimeve, pas mbajtjes së Tryezës së parë.
Në fund të takimit, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, duke shprehur edhe mendimin e Kryetarit te Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, rikonfirmoi mbështetjen politike të të dy Kuvendeve për vazhdimin e takimeve dhe të Tryezave si edhe burimet e nevojshme financiare.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në Tryezën e parë të Kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Të nderuara Kryetare dhe Kryetarë të Komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës,
Jam shumë e lumtur që jemi të gjithë bashkë, rreth një tryeze pune, për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta, por edhe sfidat e veçanta të të dy Kuvendeve tona.
Ky takim organizohet menjëherë dhe si rezultat i vizitës simë të parë zyrtare në Prishtinë dhe diskutimeve të frytshme që pata me Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, dhe Kryeministrin, z. Albin Kurti.
Paralel me këtë Tryezë, grupet e punës të të dy Kuvendeve, nën drejtimin e Sekretarëve të Përgjithshëm, janë sot në Prizren duke punuar për finalizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis të dy Kuvendeve tona.
Së pari, që jemi mbledhur rreth një tryeze, të cilën unë do ta quaja një kantier pune, të zgjedhurit e kombit shqiptar, për të diskutuar për t’u shërbyer më mirë bashkëkombasve e qytetarëve tanë, kudo ku ndodhen.
Së dyti, që jemi bashkë përfaqësues të të gjithë spektrit politik, nga të dy Kuvendet. Sot në këtë takim pune nuk ka as të majtë, as të djathtë. Jemi të gjithë deputetë të zgjedhur nga shqiptarët, për t’u shërbyer shqiptarëve.
Siç diskutuam edhe gjatë vizitës sime në Prishtinë, është koha të intensifikojmë, shumëfishojmë kontaktet dhe zgjerojmë bashkëpunimim vëllazëror midis dy Kuvendeve tona.Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës ka edhe një dimension të fuqishëm rajonal dhe evropaist sepse është me rëndësi strategjike, efekte stabilizuese dhe orientuese për perspektivën euroatlantike të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Në këtë konteskt, bashkëpunimi parlamentar është jetik, jo vetëm sepse i jep më shumë legjitimitet bashkëpunimit të institucioneve, por edhe sepse do të kontribuojë drejtpësëdrejti në nxitjen e bashkëpunimit midis qeverive, institucioneve dhe qytetarëve të të dy vendeve. Bashkë me Kryetarin Konjufca ramë dakord të ndërtojmë një mekanizëm më efikas për ndjekjen e zbatimin e projekteve e marrëveshjeve që arrihen në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. Për këtë qëllim, në Komisionin Ndërshtetëror, që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve, propozuam të bëjnë pjesë, përveç ministrave, edhe përfaqësues të komisioneve parlamentare.
Ne kemi shumë sfida të përbashkëta, për të cilat duhet të ndihmojmë e plotësojmë njeri-tjetrin: të përafrojmë legjislacionin e dy vendeve tona si edhe legjislacionin e të dy vendeve me Bashkimin Europian, qeverisja e mire, arsimi, kultura, sporti, rritja e rolit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë, partneriteti strategjik me aleatët e mëdhenj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ne kemi dëshmuar se jemi konstruktivë dhe bashkëpunimimi midis Kuvendeve tona, madje edhe kjo Tryezë që institucionalizojmë sot, është një kontribut tjetër në rolin tonë si faktor paqeje në rajon e më gjerë.
Ju uroj të gjithëve punë të mbarë!