Njoftim mbi shprehjen e interesit për ndjekjen e procesit nga mediat dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë, të votimit nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Shkollës së Magjistraturës, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të KLGJ dhe KLP nga trupa e pedagogëve
- Postuar më, 06/10/2021
Në mbështetje
të nenit 48 dhe të nenit 146 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes
së sistemit të drejtësisë”, me qëllim vijimin e procesit të përzgjedhjes së
anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së
Magjistraturës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë do të
thërrasë mbledhjen e Posaçme të Drejtuesve të këtyre institucioneve për
përzgjedhjen e kandidatëve.
Bazuar në nenin 50, pika 4 dhe nenin 148 pika 4 të ligjit nr.115/2016, procesi i votimit është i hapur për mediat dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë që shprehin interesim për të ndjekur procesin. Vëzhguesit autorizohen paraprakisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
Për sa më sipër, ju informojmë se datën 12.10.2021, ora 12.00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë me adresë: “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë, do të zhvillohet procesi i votimit nga Mbledhja e Posaçme e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Shkollës së Magjistraturës, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve.
Kërkohet nga ana e çdo subjekti të interesuar të shpreh interesin për pjesëmarrje në adresën vakancat@parlament.al brenda datës 10.10.2021me qëllim pajisjen me autorizim nga Sekretari i Përgjithshëm.
Në vëmendjen Tuaj, sipas Urdhrit të Sekretarit të Përgjithshëm nr. 223 datë
05.10.2021 përfaqësuesit e medias dhe të gjithë
vëzhguesit e tjerë që shprehin interesim për të ndjekur procesin, duhet të
paraqesin informacion zyrtar në lidhje me certifikatën e vaksinimit ose testin
PCR negativ të kryer jo më vonë se 48 orë përpara fillimit të Mbledhjes se
Posaçme.