Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli merr pjesë në Takimin e 10-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Juglindore, që po zhvillohet në Budapest, mbi çështjet e zgjerimit të BE-së

  • Postuar më, 24/09/2021

Gjatë ditës së sotme, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli po merr pjesë në Takimin e 10-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Juglindore, që po zhvillohet në Budapest, mbi çështjet e zgjerimit të BE-së. 

Në fjalë e saj, mbajtur në këtë takim, zonja Kodheli, pasi foli mbi hapat, përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, vuri theksin mbi domosdoshmërinë që edhe BE-ja të përmbushë detyrimet dhe premtimet, që lidhen me procesin e zgjerimit, duke filluar me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vonesa në proceset e zgjerimit dhe pritja pa datë, rrezikon të shtojë numrin e të zhgënjyerve dhe ndjenjën e frustrimit midis popujve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, çka nga njëra anë ngadalëson ritmet e proceseve integruese dhe nga ana tjetër krijon hapësira për ndërhyrjen e lojtarëve të tjerë ndërkombëtare,” u shpreh midis të tjerash zonja Kodheli.

“Ne u bëjmë thirrje kolegëve tanë parlamentarë të promovojnë çdo nismë për të përshpejtuar zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor si një hap vendimtar drejt realizimit të projektit madhështor që po ndjekim që prej vitit 1989 për unifikimin e Evropës në emër të paqes, vlerave, demokracisë, barazisë sociale, zhvillimit dhe të drejtave të njeriut” tha ajo.

Në përfundim të takimit, Kryeparlamentarët e vendeve të Evropës Juglindore dhe të vendeve anëtare të Nismës së Vishegradit do të miratojnë një deklaratë me qëndrimin e tyre të përbashkët lidhur me proceset integruese dhe çështjet e zgjerimit të BE-së.



Share