Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen katër projektvendime dhe Sekretariatet e Kuvendit

  • Postuar më, 13/09/2021

13 shtator 2021 

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare.

Në fillim të seancës Kryetarja njoftoi deputetët për procesverbalin e seancës së shkuar, i cili u miratua me votë.

Më tej, znj. Nikolla u bëri me dije deputetëve katër projektvendime për seancën e sotme.

Projektvendimi ”Për zgjedhjen e Byrosë dhe përbërjen e Sekretariateve të Kuvendit”, (Neni 8 i Rregullores së Kuvendit), projektvendimi “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit” (Nenet 20-22 të Rregullores), projektvendimi “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit” (Nenet 20 dhe 21 të Rregullores), dhe projektvendimi “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit” (Neni 21/1 i Rregullores), u miratuan me shumicë votash nga deputetët e pranishëm.

Sipas propozimeve të paraqitura nga grupet parlamentare, kryetar i komisionit për Ekonominë dhe Financat u miratua z. Eduard Shalsi, kryetare e komisionit për Integrimin Evropian znj. Jorida Tabaku, kryetar i komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin u miratua z. Arben Pëllumbi, kryetare e komisionit për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë u miratua znj. Albana Vokshi, kryetar i komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u miratua z. Agron Gjekmarkaj, kryetare e komisionit për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u miratua znj. Klotilda Bushka, kryetar i komisionit për Sigurinë Kombëtare u miratua z. Nasip Naco dhe kryetare e komisionit për Politikën e Jashtme u miratua znj. Mimi Kodheli.

Po ashtu, seanca e sotme miratoi edhe Sekretariatet e Kuvendit. Sekretariati për Buxhetin do të ketë dy sekretarë znj. Anila Denaj dhe z. Belind Këllici, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën me sekretare znj. Klotilda Bushka, Sekretariati për Statusin e Deputetit me sekretar z. Xhemal Qefalia, Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet me sekretare znj. Etilda Gjonaj, Sekretariati për Marrëdhëniet me Jashtë me sekretar z. Taulant Balla dhe Sekretariati për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit ku sekretar do të jetë z. Blendi Klosi.


Share