Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli takim me z. Driton Hyseni, Kryetar i Delegacionit parlamentar të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

  • Postuar më, 15/07/2021

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, znj. Mimi Kodheli priti dje në Kryesinë e Kuvendit,  z. Driton Hyseni, Kryetar i Delegacionit parlamentar të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s .  

Znj. Kodheli pasi i uroi mirëseardhjen z. Hyseni shprehu fillimisht kënaqësinë për progresin dhe konsolidimin e vazhdueshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës.  Më tej ajo u ndal në rëndësinë dhe njëkohësisht vështirësitë për krijimin e institucioneve demokratike, si dhe eksperiencën e Shqipërisë në këtë drejtim.  Znj. Kodheli e siguroi Kryetarin e Delegacionit parlamentar të Kosovës në Asamblenë Parlamentare ëe NATO-s mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë si dhe për gatishmërinë e saj për bashkëpunim në kuadrin dypalësh dhe atë ndërkombëtar përfshirë edhe në NATO.

Z. Hyseni falenderoi për mikëpritjen dhe ndihmën e Shqipërisë ndaj Kosovës edhe në fushën e mbrojtjes. Ai gjithashtu shprehu dëshirën dhe angazhimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve sikurse edhe në kuadrin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rrugët për bashkërendimin e përpjekjeve në drejtim të promovimit të integrimit sa më të tërësishëm euro-atlantik të Kosovës.


Share