Festa Kombëtare e Francës, Ruçi uron Presidentin e Asamblesë Kombëtare, Ferrand: Demokracia, liritë dhe të drejtat, legacia e revolucionit francez

  • Postuar më, 14/07/2021

Me rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Republikës Franceze, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand.

“Me rastin e 14 korrikut, Festës së Republikës  Franceze,  ju dërgoj urimet e përzemërta  të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. 

Revolucioni francez është ngjarje madhore, jo vetëm në historinë e Francës, por për historinë botërore.  

Revolucioni francez i ktheu zhvillimet botërore drejt lirisë dhe të drejtave qytetare dhe e bëri Francën një vend model për të gjithë popujt dhe qytetarët që aspirojnë për liri, barazi, drejtësi shoqërore,  demokraci, silidaritet dhe paqe.

Demokracia, liritë dhe të drejtat janë legacia e rëndësishme e revolucionit francez, i cili i shpalli ato të shenjta. 

Demokracia franceze është një libër i hapur për të gjithë popujt që aspirojnë dhe luftojnë për demokraci, liri dhe të drejta qytetare.

Franca është një mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë në NATO, në rrugën  drejt Bashkimit Europian, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Përfitoj nga ky rast që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të falenderoj Asamblenë Kombëtare të Francës dhe Ju personalisht për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë, fillimit  sa më shpejt të negociatave dhe mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare.”,  shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.


Share